2013-10-15 11:38:02

Intervista e Papa Françeskut me Atë Spadaro-n (III)


Çfarë do të thotë të jesh Papë, për një jezuit?
Me dëshirën për të vijuar në këtë linjë, i shtroj Papës një pyetje, që zë fill nga fakti se ai është jezuiti i parë i zgjedhur si Ipeshkëv i Romës: “Si e shikoni shërbimin ndaj Kishës universale, në dritën e përshpirtërisë injaciane? Çfarë do të thotë për një Jezuit zgjedhja si Papë? Cila pikë e përshpirtërisë injaciane ju ndihmon më shumë, për të përjetuar shërbesën tuaj?”
“Përzgjedhja”, përgjigjet Papa Françesku. “Përzgjedhja është njëra ndër gjërat që shën Injaci ka përpunuar më së shumti brenda vetes. Është mjeti me të cilin bëhet lufta për të njohur më mirë Zotin e për ta njohur më nga afër. Më ka bërë përherë përshtypje një thënie me të cilën përshkruhet pikëpamja e Injacit: Non coerceri a maximo, sed contineri a minimo divinum est. Kam menduar shumë mbi këtë fjali, në lidhje me qeverisjen, me qenien epror: nuk është gjë hyjnore të detyrohesh nga realiteti më i madh, por të gjendesh në realitetin më të vogël. Përballë realitetit të madh dhe të vogël hyn në punë virtyti i zemërgjerësisë. Nga pozicioni ku gjendemi, na bën të shohim gjithmonë horizontin. Është bërja e gjërave të vogla të çdo dite me zemër të madhe dhe të hapur ndaj Hyjit e ndaj të tjerëve. Është vlerësimi i gjërave të vogla brenda horizonteve të mëdha, horizonteve të Mbretërisë së Hyjit.”
“Kjo thënie jep parametrat për të mbajtur një qëndrim të drejtë në lidhje me përzgjedhjen, për t’i ndjerë gjërat e Hyjit nga ‘pikëpamja’ e tij. Për shën Injacin parimet e mëdha duhen mishëruar në rrethanat vendore, kohore dhe vetjake. Në mënyrën e vet, Gjoni XXIII mori këtë qëndrim qeverisës kur përsëriste thënien: Omnia videre, multa dissimulare, pauca corrigere, sepse, megjithëse duke parë omnia, përmasa e realitetit më të madh, mendonte se duhej vepruar në pauca, në përmasën më të vogël. Mund të bëhen projekte të mëdha e mund të realizohen duke vepruar me pak gjëra të vogla. Ose mund të përdoren mjete të dobëta që dalin më të efektshëm sesa mjetet e forta, sikurse thotë edhe shën Pali, në Letrën e Parë drejtuar Korintasve”.
Kjo përzgjedhje kërkon kohë. Shumë vetë, për shembull, mendojnë se ndryshimet dhe reformat mund të kryhen brenda një kohe të shkurtër. Unë besoj se ka gjithmonë nevojë një farë kohe, për të vendosur bazat e një ndryshimi të vërtetë, të efektshëm. Kjo është koha e përzgjedhjes. Ndodh, përkundrazi, që përzgjedhja na shtyn të bëjmë menjëherë një gjë që fillimisht mendohej se duhej bërë më vonë. Kjo më ka ndodhur mua gjatë këtyre muajve. Përzgjedhja bëhet gjithmonë para Zotit, duke parë shenjat, duke marrë parasysh gjërat që ndodhin, nuhatjen e njerëzve, veçanërisht të të varfërve. Zgjedhjet e mia, edhe ato kanë lidhje me jetën normale, si për shembull përdorimi i një makine modeste, kanë të bëjnë me përzgjedhjen shpirtërore, në përkim me nevojën që lind nga gjërat, nga njerëzit, nga leximi i shenjave të kohës. Përzgjedhja sipas Zotit më udhëheq në mënyrën time të qeverisjes”.
“Ja, pra, jam mosbesues ndaj vendimeve të marra befasishëm. Nuk i besoj kurrë vendimit të parë, domethënë gjësë së parë që më vjen në mendje të bëj, kur duhet të marr një vendim. Zakonisht është gjëja e gabuar. Duhet të pres, të bëj një vlerësim shpirtëror, duke marrë kohën e duhur. Urtia e përzgjedhjes e shpaguan ndërdyshjen e pashmangshme të jetës dhe na bën të aftë të gjejmë mjetet më të volitshme, që nuk njëjtësohen gjithmonë me atë që na duket e madhe apo e fortë.








All the contents on this site are copyrighted ©.