Ungjilli duhet shpallur me shembull, më parë se me fjalë. Bota ka nevojë për njerëz
të besueshëm, që mund të flasin, si Jezusi, gjuhën e mëshirës. Kështu tha Papa Françesku
sot paradite , në audiencën me pjesëmarrësit në asamblenë e përgjithshme të Këshillit
Papnor për Ungjillëzimin e Ri. Papa e ruan për në fund shembullin më simbolik:
sot ka fëmijë që nuk dinë as të bëjnë kryq. Është shenja e analfabetizmit të sotëm
fetar, që nuk ka nevojë për koment. Ai është i vetëdijshëm për këtë gjendje të shoqërisë,
kur flet për ungjillëzimin e ri. Tri janë pikat që ka për zemër: parësia e dëshmisë;
nevoja për të shkuar drejt njerëzve dhe projekti baritor i përqendruar tek thelbësorja.
Dëshmia, sidomos në kohën tonë, ka nevojë për dëshmitarë të besueshëm, thotë Papa,
që e shpallin ungjillin me jetë dhe bëjnë tërheqës Jezu Krishtin dhe bukurinë e Hyjit:
“Shumë
vetë janë larguar nga Kisha. Është gabim t’ia lësh fajin njërës palë apo palës tjetër,
përkundrazi, nuk është e udhës të flitet për faje. Përgjegjësitë gjenden në historinë
e kishës dhe të njerëzve të saj, nëpër ideologjitë e ndryshme, si edhe tek njerëzit
e përveçëm. Si bij të Kishës duhet të vijojmë udhën e Koncilit II të Vatikanit, duhet
të zhvishemi nga gjërat e kota dhe të dëmshme, nga siguritë e rreme të botës, që e
rëndojnë Kishën dhe dëmtojnë fytyrën e saj të vërtetë.” Papa Françesku shpjegon
stilin me të cilin duhet shpallur Ungjilli. Është i njëjti stil që u pati kërkuar
Françesku i Asizit fretërve të vet: me botën, që nuk njeh Jezusin, apo që nuk është
e interesuar për Të, duhet folur me gjuhën e mëshirës, me gjeste dhe me sjellje, më
shumë se me fjalë: “Çdo i pagëzuar është mbartës i Krishtit (Christophorus),
siç thoshin etërit e shenjtë të lashtësisë. Kush ka takuar Krishtin, si samaritanja
tek pusi, nuk mund ta mbajë për vete këtë përvojë, por ndjen dëshirën për ta ndarë
me të tjerët, për të çuar tek Jezusi edhe njerëz të tjerë (shih Gj 4). Të gjithë duhet
ta pyesim veten, a e ndjejnë ngrohtësinë e fesë në jetën tonë njerëzit që na takojnë,
a e shohin, në fytyrën tonë, gëzimin e takimit me Krishtin.” Pika e dytë ka
të bëjë me nevojën për të shkuar drejt të tjerëve. Edhe këtu Papa përdor një fjalë
kyçe, që përsëritet gjatë fjalimeve të tij: dalja. Kjo është thirrja e të krishterit.
Dalja drejt të tjerëve, për të dialoguar me të gjithë, pavarësisht a kanë apo nuk
kanë fe. Pa mohuar përkatësinë tonë dhe pa frikë. “Kisha është dërguar për
ta zgjuar gjithkund këtë shpresë, veçanërisht atje ku ia zënë frymën kushtet e vështira
ekzistenciale, që nganjëherë janë çnjerëzore, dhe atje ku shpresa nuk merr frymë,
por i zihet fryma. I nevojitet oksigjeni i Ungjillit, i frymës së Shpirtit të Krishtit
të ringjallur, për të rindezur shpresën ndër zemra. Kisha është shtëpi me dyer përherë
të hapura, jo vetëm që gjithkush të mund të gjejë mikpritje dhe të ushqehet me dashuri
e shpresë, por edhe që ne të mund të dalim për t’ua çuar të tjerëve këtë dashuri e
këtë shpresë. Shpirti Shenjt na shtyn të dalim nga gardhi ynë e na prin deri në periferitë
e njerëzimit.” Rrugët e periferisë, megjithatë, nuk duhet të ndiqen verbërisht.
Kisha nuk ia lë rastësisë, as befasisë projektin baritor. Nuk e formulon programin
e vet pa treguar kujdes ndaj gjësë thelbësore, Jezu Krishtit: “Nuk sjell dobi
shpërqendrimi për shkak të gjërave dytësore e të tepërta, por përqendrimi mbi realitetin
thelbësor, që është takimi me Krishtin, me mëshirën e tij, me dashurinë e tij dhe
me dashurinë për vëllezërit, me të cilën Ai na ka dashur. Duhet një projekt i frymëzuar
nga krijimtaria dhe fantazia e Shpirtit të Shenjtë, që na shtyn të përshkojmë rrugë
të reja, me guxim, pa u fosilizuar.” Duke përfunduar, Papa Françesku falënderoi
katekistët, për shërbimin e çmueshëm që i bëjnë ungjillëzimit të ri, dhe theksoi se
prindërit janë katekistët e parë në familje, me shembullin e tyre.