2013-10-14 15:09:22

Kardinali Amato flet për 522 martirët e lumë spanjollë


“Ta lavdërojmë Zotin për këta besimtarë të Tij të guximshëm e me ndërmjetësinë e tyre t’i lutemi ta çlirojë botën nga çdo lloj dhune”. Me këto fjalë, Papa Françesku kujtoi, në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, në përfundim të Meshës në Sheshin e Shën Pjetrit, 522 martirët e persekutimit spanjoll, lumnuar sot në Tarragonë të Spanjës, gjatë një kremtimi kryesuar nga kardinali Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
Të pranishmëve Papa u drejtoi edhe një videomesazh, në të cilin i paraqiti martirët si shembull që duhet ndjekur, për të dalë nga vetevetja e për t’ia hapur në të dy kanatat Zotit, portat e shpirtit. Për këtë lumim kaq masiv e aktual, në mikrofonin tonë flet kardinali Anxhelo Amato, Prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve:RealAudioMP3
Pyetje: - Hirësi, dje në Tarragonë të Spanjës u lumnuan 522 martirë, viktima të persekutimit spanjoll në vitet ’30 të shekullit të kaluar. Ç’mund të na thoni për këtë gjak të derdhur thjesht për shkak të urrejtjes kundër fesë në Krishtin?

Përgjigje: - 522 martirët ishin profetë të çarmatosur të dashurisë së Krishtit. Lumnimi i tyre është ngjarje e jashtëzakonshme hiri, që davarit trishtimin dhe e mbush me gazmend bashkësinë e krishterë. Sot kujtojmë me mirënjohje flijimin e tyre, shprehje konkrete e qytetërimit të dashurisë, predikuar nga Krishti.

Pyetje: - A janë të shumtë martirët, që ranë gjatë persekutimit spanjoll?

Përgjigje: - Pikërisht kështu. Duke u kufizuar në persekutmin fetar të viteve ’30 të shekullit të kaluar, Kisha, në 14 kremtime, lumnoi më se njëmijë. Lumnimi i parë, në 1987, ishte ai i tri karmelitaneve të zbathura të Guadalaharës. Ndër kremtimet me numrin më të madh të lumnimeve, po kujtojmë atë të 1 marsit 2001, me 233 martirë; atë të 28 tetorit 2007, me 498 martirë, ndër të cilët ipeshkvijtë e Ciudad Real e të Cuenca; lumnimin e kremtuar në katedralen e Almudenës në Madrid, më 17 dhjetor 2011, me 23 dëshmitarë feje. Lumnimi i sotëm është më i madhi i kremtuar deri më sot në trojet spanjolle. Në këtë grup bëjnë pjesë tre ipeshkvij: Manuel Basulto Jiménez, ipeshkëv i Jaén; Salvio Huix Miralpeix, ipeshkëv i Lleidës dhe Manuel Bortís Ferré, ipeshkëv–ndihmës i Tarragonës e edhe një numër i madh meshtarësh, seminaristësh, rregulltarësh e rregulltaresh, të rinjsh e pleqsh, etërish e nënash familjeje. Të gjithë, viktima të pafajshme, që iu nënshtruan dënimeve me burgim, torturave, gjyqeve të padrejta, poshtërimeve, mundimeve të papërshkrueshme. Aradhe e pafundme të pagëzuarish që, duke veshur petkun e bardhë të dashurisë së krishterë, e ndoqën Krishtin deri në fund të fundit, deri në maje të Kalvarit, për t’u ringjallur me Të në lumturinë e Jeruzalemit qiellor.

Pyetje: - Ç’i dallon këta të lumë të rinj nga numri i madh i martirëve spanjollë? Cila është veçantia e tyre?

Përgjigje: - Është e nevojshme të kujtojmë se këta martirë nuk janë të rënë në luftën civile, por viktima të persekutimit të egër fetar, që synonte shfarosjen e programuar të Kishës. Këta vëllezër e motra tona nuk ishin në front, nuk luftonin, nuk kishin armë, nuk ishin përkrah asnjë partie politike, nuk provokonin kënd. U mbytën nga urrejtja për fenë, vetëm pse ishin katolikë, pse ishin meshtarë, seminaristë, pse kishin një thesar të vetëm, më të dashur se jeta vetë, Jezusin!
Nuk urrenin askënd, i donin të gjithë e u bënin mirë të gjithëve. Apostullimi i tyre ishte katekizmi në famulli, mësimdhënia në shkollë, kujdesi për të sëmurët, dashuria e krishterë ndaj të varfërve, ndihma ndaj të moshuarve dhe të përjashtuarve nga shoqëria. Mizorisë së persekutuesve nuk iu përgjigjen duke u rebeluar a duke rrokur armët, pot me butësinë e njerëzve të fortë.

Pyetje: - Ç’mesazh na vjen sot nga martirët?

Përgjigje: - Mesazh i dyfishtë. Kryesisht na ftojnë të falim, ta shlyejmë nga mendja e nga zemra trishtimin që lind nga mëllefi, mëria. Kremtimi i sotëm është festë e pajtimit, e faljes së dhuruar e të pranuar, është ngadhënjim i Zotit të paqes.
Mesazhi i dytë është ai, që na kujton kthesën e zemrës, ecjen e në rrugën mirësisë e të dhembshurisë. Të gjithë ftohemi të hyjmë në rrugën e së mirës. Jo vetëm kush deklaron se është i krishterë, por edhe kush nuk është. Kisha i fton edhe persekutuesit të mos kenë frikë e të bëjnë kthesë, të mos kenë frikë nga e mira, nga flakja e së keqes. Të gjithë: të mirë e të këqinj.
Kemi nevojë për kthesë. Të gjithë duhet të ecim në rrugën e paqes, të vëllazërimit, të respektit për lirinë e tjetrit, të marrëdhënieve të qeta njerëzore. Kështu vepruan martirët tanë, kështu veprojnë shenjtorët që, siç thotë Papa Françesku ndjekin rrugën e pendimit, të përvujtërisë, të dashurisë, udhën e bukurisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.