2013-10-13 11:43:39

Papa: Maria na mësoftë të mos jemi “të krishterë vitrine”, por besimtarë, që dinë ‘t’i ndotin duart’ për Ungjillin.


Shikimi amtar i Marisë i prin të krishterit drejt Birit të Saj Jezus dhe e ndihmon të mos jetë “i krishterë vitrine”, por besimtar, që di “t’i ndotë duart” për Ungjillin. Me këto fjalë e mbylli Papa Françesku videomesazhin drejtuar besimtarëve, gjunjëzuar mbrëmë në lutje në Shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore dhe në dhjetë shenjtërore të tjera, të lidhura nga larg, për të jetuar së bashku Ditën mariane: Lurdë, Nazaret, Lujan,Vailankaan, Guadalupe, Akita, Nairobi, Benëz, Çestokovë e Marian Vali.

“Kë shikon Virgjëra Mari? Na shikon ne të gjithëve, secilin nga ne. E si na shikon? Na shikon si Nënë, me ngrohtësi, dhimbsuri, dashuri”.
Të gjithë do ta dëshironim mbi vete këtë shikim, që rrok, mbështet, ngushëllon. Me fjalë tejet të thjeshta, Papa pikturoi portretin e Nënës së Krishtit, fjalë që, njëheresh me fenë, përçuan edhe përvojën e jetuar prej vetë Atit të Shenjtë. Sytë e Nënës së qiellit janë po ata, që ndoqën Birin e Saj, Jezusin.
Kështu e shikoi edhe të Birin, Jezusin, në të gjitha çastet e jetës së Tij, të gëzueshme, të ndritshme, të mundimshme, të lavdishme, siç i kundrojmë në Misteret e Rruzares Shenjte, thjesht me dashuri:
“Kur lodhemi e këputemi, kur na lëshon zemra, kur shtypemi nën barrën e problemeve, ia ngulim sytë Marisë, shikojmë sytë e Saj, që i flasin zemrës sonë e i thonë: ‘Forca, bir, jam me ty, jam shtylla jote!’. Zoja na njeh thellë, është nënë, na i njeh të mirat e të vështirat, shpresat e zhgënjimet. Kur ndjejmë barrën e rëndë të ligështive tona, të mëkateve tona, sytë tanë drejtohen kah Maria, që i flet zemrës sonë e i thotë: ‘Ngreju, shko tek Biri im Jezus, në Të do të gjesh strehë, mëshirë e forcë të re, për të vijuar udhën!”.
Sytë e Marisë nuk na drejtohen vetëm ne, nënvizoi Papa, janë të ngulur fort tek Jezusi. Maria na tregon Jezusin, na fton ta dëshmojmë Jezusin, na prin gjithnjë kah Biri i Saj, Jezusi, sepse vetëm në Të mund të shëlbohemi, vetëm Ai mund ta shndërrojë ujin e vetmisë, të dëshpërimit, të mëkatit, në verën e takimit, të gëzimit, të faljes, vetëm Ai:
“Mos ki frikë! Ai të mëson ta ndjekësh për ta dëshmuar në veprat e vogla e të mëdha të jetës sate, në marrëdhëniet në familje, në punën tënde, në çaste feste; të mëson të dalësh nga vetvetja, për t’i shikuar të tjerët me dashuri, si Ai, që të deshi e të do, e jo me fjalë, por me vepra!
O Mari, bëj ta ndjejmë shikimin tënd amtar, na prij drejt Birit tënd, bëj që të mos jemi të krishterë ‘vitrine’, por besimtarë, që dinë ‘t’i ndotin duart’, për të ndërtuar, me Birin tënd, Jezus, Mbretërinë e Tij të dashurisë, të gëzimit, të paqes!”.









All the contents on this site are copyrighted ©.