Papa Françesku. Videomesazh mbrëmësores së lutjes mariane në Shenjtëroren romake të
Dashurisë Hyjnore (tekst i plotë)
Të dashur vëllezër e motra, i përshëndes shtegtarët e pranishëm në Shenjtëroren
e Dashurisë Hyjnore dhe të gjithë ata, që janë të lidhur me të nga Shenjtëroret Mariane
të Lurdës, Nazaretit, Lujanit, Vailankaanit, Guadalupes, Akitës, Nairobit, Benëzës,
Çestokovës e Marian Valit. Sonte ndjehem pranë jush, në sa thoni Rruzaren Shenjte
e Adhuroni Eukaristinë, nën vështrimin e Virgjërës Mari. Vështrimi! Sa i rëndësishëm!
Sa gjëra mund të shprehen me një shikim! Përzemërsi, inkurajim, dhimbsuri, dashuri,
por edhe qortim, zili, mendjemadhësi e deri urrejtje. Shpesh syri flet më mirë se
fjala, shpreh çka fjalët nuk munden ose nuk guxojnë ta shprehin. Kë shikon Virgjëra
Mari? Na shikon ne të gjithëve, secilin nga ne. E si na shikon? Na shikon si Nënë,
me ngrohtësi, dhimbsuri, dashuri. Kështu e shikoi edhe të Birin, Jezusin, në të gjitha
çastet e jetës së Tij, të gëzueshme, të ndritshme, të mundimshme, të lavdishme, siç
i kundrojmë në Misteret e Rruzares Shenjte, thjesht me dashuri. Kur lodhemi e këputemi,
kur na lëshon zemra, kur shtypemi nën barrën e problemeve, ia ngulim sytë Marisë,
shikojmë sytë e Saj, që i flasin zemrës sonë e i thonë: “Forca, bir, jam me ty, jam
shtylla jote!”. Zoja na njeh mirë, është nënë, na i njeh të mirat e të vështirat,
shpresat e zhgënjimet. Kur ndjejmë barrën e rëndë të ligështive tona, të mëkateve
tona, sytë tanë drejtohen kah Maria, që i flet zemrës sonë e i thotë: “Ngreju, shko
tek Biri im Jezus, në Të do të gjesh strehë, mëshirë e forcë të re, për të vijuar
udhën!”. Sytë e Marisë nuk na drejtohen vetëm ne. Tek këmbët e kryqit, kur Jezusi
ia beson Shën Gjonit Apostull, e me Të, të gjithë ne, duke thënë: “Grua, ja yt Bir”
(Gjn 19,26), sytë e Marisë janë të ngulur fort tek Jezusi. E ashtu si në dasmën e
Kanës, Maria na drejtohet me fjalët: “Bëni gjithçka t’ju thotë!” (Gjn 2,5). Na tregon
Jezusin, na fton ta dëshmojmë Jezusin, na prin gjithnjë kah Biri i Saj, Jezusi, sepse
vetëm në Të mund të shëlbohemi, vetëm Ai mund ta shndërrojë ujin e vetmisë, të dëshpërimit,
të mëkatit, në verën e takimit, të gëzimit, të faljes, vetëm Ai! “E lumja ti, sepse
besove!”. Maria është e lume, sepse beson në Zotin, sepse është plot me fe, sepse
sytë e zemrës së Saj mbeten të ngulur gjithnjë mbi Zotin, mbi Birin e Zotit, të cilin
e mbajti në kraharor dhe e kundroi mbi kryq. Në Adhurimin e të Shenjtnueshmit Sakrament,
Maria na thotë: “Shikoje Birin tim Jezus, mbaji gjithnjë sytë ngulur mbi Të, dëgjoje,
fol me Të. Ai të shikon me dashuri. Mos ki frikë! Ai të mëson ta ndjekësh për ta dëshmuar
në veprat e vogla e të mëdha të jetës sate, në marrëdhëniet në familje, në punën tënde,
në çaste feste; të mëson të dalësh nga vetvetja, për t’i shikuar të tjerët me dashuri,
si Ai, që të deshi e të do, e jo me fjalë, por me vepra! O Mari, bëj ta ndjejmë
shikimin tënd amtar, na prij drejt Birit tënd, bëj që të mos jemi të krishterë ‘vitrine’,
por besimtarë, që dinë ‘t’i ndotin duart’, për të ndërtuar, me Birin tënd, Jezus,
Mbretërinë e Tij të dashurisë, të gëzimit, të paqes!