2013-10-13 14:02:43

Dita mariane. Mesha e Papës: Zoti kërkon “po”-në tonë, Maria na ndihmon t’ia themi çdo ditë.


“Zoti na habit, Zoti kërkon besnikëri, Zoti është forca jonë”. Mbi këto tri realitete u përqendrua, sot paradite, homelia e Papës Françesku gjatë Meshës në Sheshin e Shën Pjetrit, para shtatores së Zojës së Fatimës, në praninë e 100 mijë vetëve, me rastin e Ditës mariane. “Maria, tha Ati i Shenjtë, na ndihmoftë të befasohemi nga Zoti, pa i kundërshtuar kurrë, të jemi bij besnikë çdo ditë, ta lumnojmë e ta falënderojmë, sepse është Ai forca jonë.

Maria, krijesë e përvuajtur, e ligshtë, si ne, u zgjodh për të qenë Nënë e Zotit, Nënë e Krijuesit të Saj. Duke ia ngulur sytë Marisë, Papa Françesku i ftoi të gjithë besimtarët të reflektojnë mbi tre realitete: Zoti na mrekullon, Zoti kërkon besnikëri, Zoti është forca jonë. Zoti na mrekullon, shpjegoi Papa, si në rastin e Naamanit, kreut të ushtrisë së mbretit Aram, të sëmurit nga gërbula që, duke iu përgjigjur kërkesës së Zoti, zhytet në Jordan. Kërkesa i duket e çuditshme, por gjithsesi i bindet, zhytet në ujë e shërohet menjëherë:
Ja pra, Zoti na habit; na duket pikërisht në varfëri, në ligështi, në përvuajtëri e na dhuron dashurinë, që shëlbon, që shëron, që forcon. Kërkon vetëm një gjë, të ndjekim fjalën e Tij e t’i besojmë”.
Kjo është edhe përvoja e Virgjërës Mari që, kur merr Lajmin e madh të Engjëllit, nuk e fsheh mahnitjen, habinë, në sa dëgjon se Hyji, për t’u bërë njeri, zgjodhi pikërisht atë, Vashën e thjeshtë të Nazaretit, që s’kishte bërë asgjë të jashtëzakonshme, por që i besonte me gjithë zemër Fjalës së Zotit:
“Zoti na befason gjithnjë, i shkatërron skemat tona, vë në krizë planet tona e na thotë: ‘më beso, mos ki frikë, më lërë të të befasoj, dil nga vetvetja e eja pas meje!”.
Ati i Shenjtë bëri, pastaj, disa pyetje, që prekin zemrën e çdo të krishteri:
“A e lë Zotin të më befasojë, siç bëri Maria, apo mbyllem në siguritë e mia materiale, në siguritë intelektuale, siguritë ideologjike, siguritë e planeve të mia? A e lë vërtet Zotin të hyjë në jetën time? Si i përgjigjem?”.
Hyji, shtoi Papa Françesku, na mrekullon me dashurinë e Tij, por kërkon besnikëri, kërkon ta ndjekim pa ngurrim, si në leximin e Shën Palit, në të cilin Apostulli i drejtohet dishepullit, Timoteut, duke e porositur të kujtohet gjithnjë për Krishtin, ta ruajë të gjallë fenë. Sa herë, vërejti më pas Ati i Shenjtë, entuziazmohemi për ndonjë nismë, për ndonjë impenjim, por pastaj, kur ndeshemi me problemet e para, dorëzohemi, e lëmë në gjysëm të rrugës, e harrojmë:
“E kjo, për fat të keq, ndodh edhe kur duhet të marrim vendime tejet të rëndësishme, siç është ai i martesës. Na duket e vështirë të jemi të palëkundshëm, të jemi besnikë ndaj vendimit të marrë, premtimit të bërë. Shpesh është e lehtë të thuash ‘po’, por pastaj, kur vjen puna për ta përsëritur këtë ‘po’ çdo ditë, na duket e vështirë. Nuk kemi forcë të mbetemi besnikë”.
Maria iu përgjigj gjithnjë ‘po’ Zotit: në çaste gazmendi e mundimi. Shumë e shumë ‘po, që arritën kulmin tek këmbët e Kryqit, kujtoi Papa e vijoi me një pyetje tejet të rëndësishme:
“A jam i krishterë ‘me hope’, apo jam gjithnjë?”.
E më pas shtoi:
Kultura e kalimtares, e relatives, hyn edhe në mënyrën si e jetojmë fenë. Zoti na kërkon të jemi besnikë, çdo ditë, në çdo veprim e shton se, edhe po të mos jemi gjithnjë besnikë, Ai vijon të jetë e me mëshirën e vet të pambaruar, nuk lodhet kurrë duke na shtrirë dorën për të na ngritur përsëri në këmbë, për të na dhënë zemër, që ta rifillojmë ecjen, të rikthehemi tek Ai e ta pranojmë ligështinë tonë, që të na japë forcën e Tij”.
Papa tregoi edhe cila është udha e vërtetë:
Kjo është udha e vërtetë: gjithnjë me Zotin, edhe në ligështitë tona, në mëkatet tona. Nuk duhet të ecim kurrë në rrugën e së përkohshmes. Kjo, po, vret! Feja është besnikëri përfundimtare, si ajo e Marisë”.
Zoti na befason! Na kërkon besnikëri, Zoti, përfundoi Papa, është forca jonë, E, pasi kujtoi faqen e Ungjillit, në të cilën dhjetë të gërbulur i luten Jezusit t’i shërojë, nënvizoi se, pas çlirimit nga sëmundja, vetëm një u kthye mbrapa për ta falënderuar Zotin. Maria, pas lajmërimit, i larton Zotit falënderimin e Saj, e lavdëron me gjithë zemër, me bindjen se gjithçka është dhuratë e Tij. Ai, ritheksoi Ati i Shenjtë, është forca jonë. E pastaj, edhe disa pyetje të tjera, për t’u mbajtur mend:
Sa herë themi faleminderit në familje? Është një nga fjalët-kyçe të bashkëjetesës. ‘Me leje’, ‘më fal’, ‘faleminderit’’: nëse në familje thuhen këto tri fjalë, familja shkon përpara. ‘Me leje’’, ‘më fal’, ‘faleminderit’. Sa herë i themi këto fjalë në familje? Sa herë e falënderojmë atë, që na ndihmon, që na qëndron pranë, që na shoqëron në jetë? Shpesh e harrojmë fare këtë. E kështu bëjmë edhe me Zotin. Është e lehtë të shkosh tek Zoti e t’i kërkosh ndonjë gjë, por kur është fjala për të shkuar e për ta falënderuar, e harrojmë”.Ta falënderojmë, pra, çdo ditë, pa harruar se Zoti është shtylla jonë, forca jonë, na kujton Papa.







All the contents on this site are copyrighted ©.