2013-10-12 17:34:39

Fundoset një barkë me 250 vetë: 50 të vdekur, ndërmjet të cilëve edhe fëmijë. 200, të shpëtuarit.


Tragjedi e re në Kanalin e Sicilisë. Një barkë e madhe, ngarkuar me 250 emigrantë, u fundos dje në ujërat territoriale të Maltës. Dhjetra, viktimat, së paku 50, sipas burimeve. Ndërmjet tyre, dhjetë fëmijë, a ndoshta edhe më shumë, ndërsa 150 vetë u shpëtuan nga një anije e La Valetës dhe nga anije të tjera të Flotës Detare Ushtarake italiane. Ndërkaq arrin shifrën 339, numri i viktimave të Lampeduzës.

Pa u mbyllur ende perdja e tragjedisë së Lampeduzës, nisi një tragjedi e re për njerëzit, që shtegtojnë në rrugë të rrezikshme, në kërkim të një jete të re, duke gjetur shpesh vdekjen. Këtë herë 250 emigrantë, sipas disa dëshmive, mbetën viktima të dëshirës së tyre, në përpjekjen për t’u parë nga një avion i zbulimit, që patrullonte zonën. Barka, e mbushur jashtë mase, humbi drejtpeshimin e u fundos në det. Dramë që, sipas kryeministrit italian Enriko Leta, konfirmon rëndësinë e emergjencës së emigracionit.
Zëri i viktimave ngrihet me forcë nga ujërat, ku u fundosen, për t’i kujtuar bashkësisë ndërkombëtare, në veçanti Evropës, sa urgjente është të rishikohen politikat e strehimit. E pikërisht Leta, në një bisedë telefonike me kryetarin e Këshillit Evropian, Van Rompuy, kërkoi që tema e emigracionit të jetë në qendër të vëmendjes në takimet e ardhshme të rangut të lartë, në Bruksel.Ndërkaq në Lampeduzë deti nxjerr në bregun e ëndërruar trupat e të mbyturve disa ditë më parë, duke e shtuar numrin e të vdekurve: deri tani, 339.







All the contents on this site are copyrighted ©.