2013-10-11 16:32:54

Siri: BE dënon persekutimin e të krishterëve. 190 viktima në fshatrat alauite


Parlamenti Evropian dënoi persekutimin e të krishterëve në Siri, duke miratuar një rezolutë, votuar në seancën e djeshme plenare, në Strasburg. Gjatë konfliktit, haraçin më të rëndë vijojnë ta paguajnë të gjitha pakicat. Human Rights Watch denoncon masakrimin e më se 190 vetëve gjatë sulmeve të rebelëve xhihadistë ndër dhjetë fshatra alauite.
Të paktën 190 civilë u ekzektuan në masë e 200 të tjerë, kryesisht gra e fëmijë, u morën peng gushtin e kaluar në fshatrat e Latakisë, me shumicë alauite, sekt islamik të cilit i përket presidenti Asad.
Padia lexohet në një Raport me 150 faqe, hartuar nga Human Rights Watch. Dokumenti e drejton gishtin kundër milicive të ekstremistëve të huaj të Shtetit islamik të Irakut e të Levantes dhe Ushtrisë së emigrantëve, që shfarosi familje të tëra. Koalicioni kombëtar sirian, platformë kryesore e opozitës, e dënon masakrimin e alauitëve, duke u distancuar nga formacionet e huaja integraliste që, gjithsesi, vijojnë ta fuqizojnë pozitën e tyre në terren, siç e dëshmon atentati i kryer sot paradite, që përfundoi me vrasjen e një myslimani francez në një bazë ushtarake të Halebit, ku vdiqën 10 ushtarë.
Ndërkaq trupat qeveritare i dëbuan rebelët nga dy lagje të jashtme të Damaskut. E ndërsa vijon puna e inspektorëve të Opec për shkatërrimin e arsenaleve kimike siriane, ministri i jashtëm rus, Lavrov, akuzon rebelët sirianë që, sipas tij, u përgatiten për përdorimin e armëve kimike në Afganistan.
Atë Juan Pedro Degandt, bashkëpunëtor i Patrikut të Damaskut, Gregorios II Laham, e përshkruan kështu këtë situatë dramatike, në mikrofonin tonë:

“Situata ndryshon sipas vendeve. Vende-vende, të krishterët janë me të vërtetë të persekutuar nga forcat e vetëquajtura të opozitës e po detyrohen të ikin. Këtu, në Damask, Patriarkana po i ndihmon ditë për ditë refugjatët, që vijnë nga Homsi e, tani, edhe ata që ikin nga Maaloula. Në këto çaste duket sikur xhihadistët nuk mungojnë në Maaloula, ku vijojnë ende luftimet. Këtu ranë tre martirë, në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale".











All the contents on this site are copyrighted ©.