2013-10-11 14:59:23

Papa njeh shenjtërinë e Anxhelës nga Folinjo, mistike e madhe mesjetare


Papa Françesku njohu shenjtërinë e njërës nga mistiket e mëdha të Mesjetës, së Lumes Anxhela nga Folinjo, që jetoi ndërmjet viteve 1248 e 1309. Papa, njofton një notë, vendosi që emri i saj të shkruhet në katalogun e shenjtorëve, duke e shtrirë kultin në mbarë Kishën universale, pasi dëgjoi relacionin e kardinalit Anxhelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
Shenjtorja nga Umbria, bijë e një familjeje të kamur, u kthye në rrugën e fesë duke ecur në gjurmët e Shën Françeskut, duke hyrë në të Tretin Urdhër Françeskan e duke jetuar në varfëri të plotë, në shoqëri me një grup ndjekësesh. Pati vegime të jashtëzakonshme mistike e shkrimet e saj e bënë të famshme si “Mësuese teologjie”.

Në dekretet e shpallura sot me lejën e Papës, lexojmë edhe emrin e së lumes, bashkëthemeluese e Kongregatës së Motrave Misionare të Shën Karlit, Assunta Caterina Marchetti, me ndërmjetësinë e së cilës u bë një mrekulli, e njohur nga Papa. Jetoi ndërmjet gjysmës së dytë të tetëqindës e të parës së nëntëqindës, duke iu kushtuar përshpirtërisë së Skalabrinianëve, gjithnjë në shërbim të jetimëve, emigrantëve, të sëmurëve.

Dekretet e sotme njohin edhe virtytet heroike të gjashtë Shërbëtorëve të Zotit. Janë:

I Lumi Amato Ronconi, themelues i Strehës spitalore të Shtegtarëve të varfër të Saludecios (dioqeza e Riminit), sot, "Shtëpia e pushimit, vepër e përshpirtshme e të lumit Amato Ronconi".
Ronconi lindi në Saludecio (Itali), rreth vitit 1226; vdiq në Rimini (Itali) më 1292;

Shërbëtori i Zotit, Pio Alberto Del Corona, Kryeipeshkëv titullar i Sardikës, themelues i Kongregatës së Motrave domenikane të Shpirtit Shenjt.
Lindi në Livorno (Itali), më 5 korrik 1837; vdiq në Firence (Itali), më l5 gusht 1912;

Shërbëtorja e Zotit, Maria Elisabetta Turgeon, Themeluese e Kongregatës së Motrave të Zojës Rruzare të Shën Gjermenit. E lindur në Beaumont (Kanada), më 7 shkurt 1840, vdiq në Rimouski, po në Kanada, më 7 gusht 1881;

Shërbëtorja e Zotit, Maria e Shën Franceskut Wilson (në shekull, Maria Giovanna), themeluese e Kongregatës të Motrave françeskane të Zojës së Fitoreve.
Lindi në Hurryhur (Indi), më 3 tetor 1840 e mbylli sytë për dritën e kësaj bote në Camara de Lobos (Portogali), më 18 tetor 1916;

Shërbëtorja e Zotit, Maria Eleonora Giorgi (në shekull, Anxhela), Rregulltare e Kongregatës së Shërbëtoreve të Zojës së Dhimbshme, lindur në Scheggiano (Itali), më 16 janar 1882 e vdekur në Firence (Itali), më 6 nëntor 1945;

Shërbëtori i Zotit, Attilio Luciano Giordani, laik e atë familjeje, Bashkëpunëtor i Shoqërisë Saleziane të Shën Gjon Boskos. Lindi në Milano (Itali), më 3 shkurt 1913 e ndërroi jetë në Campo Grande (Brazil), më 18 dhjetor 1972.








All the contents on this site are copyrighted ©.