2013-10-11 14:26:26

Devocioni marian i Papëve


Është Piu XII, Papa që i ka kushtuar Zojës më tepër letra encikilike: tetë. Papa Paçeli është edhe i pari, i cili ia kushtoi botën Zemrës së Zojës, më 31 tetor 1942, pas kërkesave të shumta të vetë Virgjërës, që u duk në Fatima, në Portugali, më 13 maj 1917. “Juve, Zemrës suaj të Papërlyer, Ne, si atë i familjes së madhe të krishterë, si Vikar i atij, të cilit iu dha gjithë pushteti, në qiell e në tokë – këto janë fjalët e Papës Piu XII – në këtë orë tragjike të historisë njerëzore, jua besojmë, jua dorëzojmë, jua kushtojmë jo vetëm Kishën Shenjte… por edhe botën mbarë, të përçarë nga mosmarrëveshjet, të djegur nga zjarre urrejtjesh, viktimë e padrejtësive të veta”.
Por qe Piu XI, në vitin 1930, ai që njohu zyrtarisht dukjet e shën Marisë në qytetin portugez dhe kultin e Zojës së Fatimës. Përkushtimi i Papës Gjoni XXIII për shën Marinë zbulohet nga “Gazeta e shpirtit”, ditari personali i Anxhelo Ronkalit, ku duket qartë që Ati i Shenjtë ia besonte çdo ditë vetveten Virgjërës së Bekuar, që kur ishte 14 vjeç. Mbrotjes së shën Marisë, Gjoni XXIII ia besoi Koncilin II të Vatikanit, që në ditën e hapjes, më 11 tetor 1962. Ishte festa e Zojës, Nënës së Zotit, - sot zhvendosur më 1 janar – në kujtim të shpalljes së dogmës së Amësisë Hyjnore të shën Marisë, në vitin 431, nga Koncili i Efesit.
Duke nënshkruar Kushtetutën dogmatike “Lumen Gentium”, më 21 nëntor 1964, Papa Pali VI e deklaroi Virgjërën “Nënë të Kishës” e më 2 shkurt 1974 firmosi Nxitjen apostolike “Marialis Cultus”, për marrëdhëniet ndërmjet liturgjisë dhe kultit të Virgjërës Shenjte, me këshilla e direktiva për të favorizuar përhapjen e tij.
Për të kujtuar lidhjen e Gjon Palit II me Zojën mjafton të citojmë moton e tij apostolike: Totus Tuus. Gjatë 27 vjetëve të papnisë, pastaj, shenja të kësaj lidhjeje dukeshin në gjestet, fjalët e dokumentet zyrtare, ndër të cilat Letra Enciklike “Redemptoris Mater” e 25 marsit 1987, mbi të Lumen Virgjër Mari në jetën e Kishës, si edhe Letra apostolike për Rruzaren, më 16 tetor 2002.
Në vazhdimësi me paraardhësin, Benedikti XVI ua ka besuar gjithnjë besimtarët Zojës në çdo audiencë, fjalim, apo homeli e, në udhëtimet e ndryshme apostolike, njëra nga etapat ka qenë gjithnjë një shenjtërore mariane. Më 24 korrik të këtij viti, në Aparesidë të Brazilit, Papa Françesku ia kushtoi shën Marisë papninë e vet e më 22 shtator, kështu iu lut Zojës së Bonarisë, në Kaliari: “Kemi nevojë për vështrimin tënd plot dhembshuri, për vështrimin tënd amnor, që na njeh më mirë se kushdo tjetër, për vështrimin plot mëshirë e kujdes. O shën Mari, sot po të themi: O Nënë, ktheji nga ne sytë e tu! Vështrimi yt na çon tek Zoti, vështrimi yt është dhuratë e Atit të mirë Qiellor, që na pret në çdo kthesë të udhës sonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.