Papa: Kisha nuk është elitë, por shtëpi ku jetohet në unitet e harmoni
Pse Kisha është katolike? Me këtë pyetje e nisi Papa Françesku audiencën e përgjithshme,
mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e 60 mijë vetëve. Ati i
Shenjtë ripohoi se në Kishë uniteti dhe larmia bashkëjetojnë në harmoni e, më pas,
i ftoi edhe një herë të gjithë të rrinë larg përgojimeve, që mbjellin farën e përçarjes.
“Shtëpia
e të gjithëve”, e përhapur në të katër anët e botës, e thirrur kudo t’i shkrijë në
harmoni larmitë e natyrshme, që përbëjnë edhe pasurinë e saj. Kjo e shumë më tepër
përmblidhet në cilësorin ‘katolike’, të cilin çdo i krishterë e kujton sa herë përsërit
formulën e Besojmës, kur përmendet Kisha. Papa Françesku e ripohoi, duke u ndaluar
në tre aspektet kryesore të kuptimit të kësaj fjale. Kisha është katolike,
pohoi, kryesisht sepse është hapësira, është shtëpia, ku kumtohet feja në tërësinë
e saj e ku shëlbimi, që solli Krishti, u ofrohet të gjithëve. E kjo nuk mund të mos
e prekë ndërgjegjen e secilit prej nesh. Prej këndej, pyetjet: “Kur shkoj
në Kishë, a është njëlloj si të isha në stadium, në ndeshje futbolli? Si të isha në
kinema? Jo! Është gjë krejt tjetër! Si shkoj unë në Kishë? Si i marr dhuratat, që
m’i jep, për tu rritur, për të fituar pjekurinë e krishterë? A marr pjesë në jetën
e bashkësisë, apo shkoj në Kishë e mbyllem brenda problemeve të mia, duke u izoluar
nga të tjerët? Në këtë kuptim të parë, Kisha është katolike sepse, shtëpi e të gjithëve:
të gjithë janë bij të Kishës e të gjithë janë në këtë shtëpi”. Së dyti,
Kisha është katolike, sepse shtëpi me porta të hapura për të gjithë, pa kurrfarë dallimi;
është universale, e përhapur në të katër anët e botës për të kumtuar Ungjillin. Prandaj
Ati i Shenjtë vërejti se: “Kisha nuk është grup të zgjedhurish, nuk
merret vetëm me disa. Kisha nuk njeh kufizime, u drejtohet të gjithë njerëzve, mbarë
gjinisë njerëzore. E njëjta Kishë është e pranishme deri në pjesët më të vogla të
saj. Kisha nuk është vetëm ajo, që ndodhet nën hijen e këmbanares sonë, por rrok një
mori njerëzish e popujsh, të cilët praktikojnë të njëjtën fe”. Në këtë
pikë, Papa iu drejtua zemrës së të krishterëve, duke i ftuar ta ndjejnë thellë në
shpirt këtë përqafim universal, njëherësh me përgjegjësitë, që pasojnë: “Ta
ndjesh veten në bashkim me të gjitha Kishat, me të gjitha bashkësitë katolike, të
vogla a të mëdha të botës! E bukur, kjo! E pastaj ta ndjesh se të gjithë jemi në mision,
bashkësi të vogla e të mëdha, të gjitha duhet t’i hapim portat tona e të dalim, për
Ungjillin. Ta pyesim, atëhere, veten: çfarë bëj unë për t’ua komunikuar të tjerëve
gëzimin, që gurron nga takimi me Zotin, harenë, që ta mbush përplot shpirtin, kur
mendon se i përket Kishës? Kumtimi e dëshmimi i fesë nuk është gjë, që u përket pak
njerëzve; është edhe detyra ime, jotja, e secilit prej nesh”. Pika tretë,
Kisha është katolike sepse shtëpi, në të cilën uniteti e larmia shkrihen në një, për
t’u bërë pasuri. As më pak as më shumë, shpjegoi Papa Françesku, se simfonia, që buron
nga akordi i instrumenteve të ndryshme, secili me timbrin e vet të pangatërrueshëm,
që përpiqen të krijojnë harmoninë, dirigjenti i së cilës është vetë Shpirti Shenjt.
E harmonia, tha në përfundim Papa Françesku, nuk ka asgjë të përbashkët me përpjekjet
për të vënë në pah vetveten e aq më pak, me gojët e këqija: “Ka thashetheme?
E, ka përgojime? Domethënë se nuk ka harmoni, po luftë. E kjo nuk është Kishë: Kisha
është harmoni e të gjithëve. Prandaj, kurrë më thashetheme njëri kundër tjetrit, kurrë
më grindje. Ta pranojmë tjetrin, ta pranojmë larminë, ta pranojmë se tjetri mund të
ndryshojë nga ne, se mund edhe të mendojë ndryshe. Por, në të njëjtën fe, mund edhe
të mendohet kështu! Apo duam ta rrafshojmë gjithçka? Duke harruar se rrafshimi e mbyt
jetën. Jeta e Kishës është larmi e kur duam t’i rrafshojmë të gjithë e gjithçka,
s’bëjmë tjetër, veçse të vrasim dhantitë e Shpirtit Shenjt!”.