Ligj i Vatikanit për transparencën, vigjilencën dhe informacionin financiar
Hyri në fuqi sot, ligji i ri i Shtetit të Vatikanit, që saktëson normat e miratuara
në korrik e gusht nga Papa Françesku, përsa u përket funksioneve të Autoritetit të
Informacionit Financiar, i cili vigjëlon mbi Institutin për Veprat Fetare IOR dhe
mbi Apsa-n, dikasterin që administron pasurinë e Selisë së Shenjtë. “Kemi të
bëjmë me një hap tjetër përpara në drejtim të transparencës dhe të vigjëlimit mbi
veprimtaritë me natyrë financiare në Vatikan – deklaroi drejtori i Sallës së Shtypit,
atë Federiko Lombardi. Është kontribut për qëndrueshmërinë dhe integritetin e sektorit
në nivel global”. Ligji XVIII, siç quhet normativa e miratuar dje nga Komisioni Papnor
për Shtetin e Vatikanit, merr parasysh edhe sugjerimet e organizmave ndërkombëtare
të kontrollit financiar si “GAFI” dhe “Moneyval”. Në veçanti, thuhet në komunikatën
e sotme për shtyp të Vatikanit, ky ligj konsolidon normativën ekzistuese në fusha
si: parandalimi dhe lufta kundër riciklimit të parave e financimit të terrorizmit;
bashkëpunimi dhe shkëmbimi i informacionit nga ana e Autoritetit të Informacionit
Financiar si në nivelin e brendshëm, ashtu edhe në atë ndërkombëtar; masat kundër
subjekteve, që kërcënojnë paqen dhe sigurinë ndërkombëtare; dhe deklarimi i transportit
ndërkufitar të të hollave. Ligji XVIII sqaron funksionet, kompetencat dhe përgjegjësinë
e Autoritetit të Informacionit Financiar edhe në kontrollin paraprak, sipas vendimit
të Papës Françesku në Motu Proprio-n e 8 gushtit.