2013-10-09 15:05:50

Lampeduzë: Papa pranë të mbijetuarve


Mëngjesin e sotëm, para se të shkonte në audiencën e përgjithshme, ipeshkvinjtë e Kishës me traditë aleksandrine të Etiopisë dhe Eritresë kanë bashkëkremtuar me prefektin e Kongregatës për Kishat Lindore kardinalin Leonardo Sandri një meshë për shpirtin e viktimave të anijembytjes tragjike, që ndodhi pranë ishullit të Lampeduzës. Riti u krye tek altari i Varrit të Shën Pjetrit, në nëndheun e Bazilikës së Vatikanit. Kard. Ja si u shpreh Kard. Sandri për mikrofonin tonë:

Përgjigje: Në predikim jemi mbështetur tek fjalët e leximit të librit të Jonës, që në një farë pike thotë: “do të ishte më mirë të vdisnim se të jetonim!” . Përsërita këtë fjali, që e kemi dëgjuar edhe nga një i ri eritreas i mbijetuar në këtë katastrofë. Në këtë mënyrë jemi në sintoni me shumë të rinj, me shumë gra, me shumë të rritur që ikin nga Eritrea dhe Etiopia. Atyre u qëllon shpesh të thonë – siç lexohet në librin e Jonës – “do të ishte më mirë të vdisnim se të jetonim”, për shkak të gjendjes në vend. Por kujtuam edhe gjithë lutjen “Ati ynë”, nga Fjala e Zotit në Ungjill, me qëllim që të kemi besim të plotë në Zotin. Ai duhet të na ndihmojë për të kapërcyer këto situata kaq të vështira. U lutem për të vdekurit dhe për familjet e tyre. Me lutjen tonë përpiqemi të përhapim një dritë hyjnore, dritën e miqësisë, të dhembshurisë, të dashurisë për të mbijetuarit.

Pyetje: Çfarë presin nga bashkësia ndërkombëtare ipeshkvinjtë e këtyre kishave?

Përgjigje: Bashkësisë ndërkombëtare i kërkojnë ndihmë, që njerëzit të mos jenë të detyruar të ikin nga vendi i tyre, që të ketë liri, demokraci, mundësi për të jetuar në mënyrë njerëzore në këto vende dhe për të pasur gjërat e domosdoshme një jetë sa më njerëzore. Kërkojnë që Perëndimi dhe vendet e bashkësisë ndërkombëtare të mund t’i ndihmojnë të rrinë në vendin e tyre e të mos ikin në këto shtegtime të vdekjes në shkretëtirë apo në det.

Pyetje: Papa po e ndjek nga afër situatën dhe ka dërguar lëmoshtarin e tij në Lampeduzë…

Përgjigje: Është një gjest vërtet i rëndësishëm. Lëmoshtari është i lidhur më ngusht me Papën. Nuk kishte ndodhur kurrë që papa ta dërgonte jashtë Romës, ngaqë ai qëndron në Romë për të ndihmuar të varfrit që i afrohen Papës këtu. E ka dërguar në Lampeduzë e kjo do të thotë se Papa dëshiron të jetë afër këtyre njerëzve të mbijetuar e të lutet për të vdekurit.








All the contents on this site are copyrighted ©.