2013-10-09 14:40:14

Lampeduza: diskutime për ligjin e emigracionit Bosi-Fini


Nuk mjafton që shumica e atyre, të cilët u nisën për në Evropë, humbën jetën, por edhe të mbijetuarit, sapo vunë këmbën në truallin italian, i akuzuan si emigrantë klandestinë e iu dhanë në dorë hetuesisë. Problemi nuk ka të bëjë aspak me dëshirën e ndonjë gjykatësi tepër të rreptë, ose tepër të zellshëm, por me ligjin italian për emigracionin, i cili pasqyron direktivat e Bashkimit Evropian. Emigracioni klandestin, sipas ligjit Bosi-Fini, konsiderohet krim i dënueshëm me ligj. Të dëgjojmë opinionin e Mauricio Ambrozinit, pedagog i sociologjisë së proceseve migratore në Universitetin Shtetëror të Milanos:
Krimi i emigracionit klandestin lidhet me politikën evropiane, po ajo, që na ka detyruar të hapim Qendrat e identifikimit dhe të largimit për emigrantët klandestinë (CIE). Problemi vjen nga Evropa, nga politika e përgjithshme e vendeve të industrializuara, që përpiqen të “mbyllin dyert”, të mos presin më jo vetëm emigrantët ekonomikë, por as refugjatët.
Sipas jush, pas kësaj tragjedie në Lampeduzë, Evropa do të ndryshojë politikë?
Duhet thënë se Evropa, në të vërtetë, pranon shumë më tepër refugjatë se Italia… të paktën Evropa Qendrore. Në Itali, kemi një refugjat çdo njëmijë banorë, ndërsa Gjermania pranon shtatë, Suedia, nëntë e kështu me radhë… Gjatë vitit të fundit, në Itali ka pasur 14 mijë kërkesa për strehim, ndërsa në Gjermani 64 mijë, prandaj ideja se Evropa i lë vetëm italianët të merren me problemin e mbërritjes së refugjatëve është paraqitje provinciale e çështjes. Pasi sqaruam këtë pikë, mund të themi se Evropa duhet të bëjë dy gjëra. E para: të ngrejë pika grumbullimi të sigurta për kërkesat e refugjatëve, sa më afër vendeve, nga e kanë zanafillën flukset. Dimë se shumë emigrantë arrijnë nga zona lufte si Eritrea, Somalia, kohët e fundit, edhe nga Siria e Kongo, prandaj duhet t’i shmangim sa të jetë e mundur më shumë këto udhëtime të rrezikshme në det. Duke pasur parasysh se ka shpenzuar fonde të shumta për sistemin “Frontex” e patrullon me anije, helikopterë e avionë kufijtë e saj, ndër të cilët edhe ata mesdhetarë, gjëja e dytë, që duhet të bëjë Evropa është përdorimi më i mirë i këtyre mjeteve teknike e financiare për të shpëtuar emigrantët. Edhe nga pikpamja e sigurisë, të shqetëson fakti se jo barka të vogla, por anije peshkimi mund të arrijnë deri në brigjet tona, pa i parë askush. Ose sistemi nuk është i përshtatshëm, ose bëjnë sikur nuk i shohin.
Sipas jush, si është reagimi politik e mediatik në Itali, para kësaj ngjarjeje tragjike?
Fatkeqësisht, ekziston një këndvështrim provincial e retorik. Për shembull, mendohet se refugjatët janë tepër, se kjo masë është e papërballueshme. Por, 81% e refugjatëve gjen strehim në vendet e jugut të botës. Vendi i parë, që pret më shumë refugjatë, është Pakistani, i dyti është Irani. Pra, ideja se Italia po pushtohet nga emigrantët është e gabuar. Gjithashtu, para dhjetë vjetësh, refugjatët që pranoheshin në veriun e botës ishin 10% më tepër se tani. Po pakësohet vullneti dhe gatishmëria jonë për t’i mirëpritur, po funksionojnë politikat, që synojnë t’i mbajnë refugjatët larg brigjeve tona. Gjykim tjetër i gabuar është retorika mbi Evropën, që nuk e ndihmon Italinë, që nuk e
ndan me të këtë peshë të rëndë. Në ditën që Evropa do të vendosë për ndarjen e kostos së mikpritjes së refugjatëve ndërmjet vendeve anëtare, ne do të na duhet t’u japim kontribute Gjermanisë, Suedisë, Hollandës, Anglisë dhe Francës, të cilat pranojnë një numër më të madh refugjatësh në krahasim me ne, si në shifra absolute, ashtu edhe në raport me popullsinë.
Eksodi vazhdon. A keni ndonjë sugjerim mbi politikën e ardhshme të emigracionit?
I pari është sugjerim për çfarë nuk duhet bërë: as që duhet menduar të krijohen aleanca me vendet e jugut të Mesdheut për t’i penguar emigrantët të nisen. Duhet denoncuar kjo hipokrizi: e vërteta është se ne nuk duam të vijnë e të vdesin para syve tanë, në plazhet tona të bukura. Ama, nëse vdesin në shkretëtirë, ose në kampet libike të përqendrimit, apo vriten nga bandat, që bëjnë ligjin në Libi e në vende të tjera, atëherë nuk na intereson më, sepse nuk i kemi para syve. Prandaj, në vend që t’u kërkojmë vendeve të bregdetit jugor të Mesdheut të pengojnë nisjet, duhet t’u themi t’i presin më njerëzisht azilkërkuesit, në mënyrë që kërkesa e tyre për strehim të shqyrtohet shpejt e seriozisht për të sjellë në Evropë o kudo tjetër, ata që kanë vërtet të drejtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.