2013-10-08 14:58:40

Papa: Lutja e bërë me gjithë zemër ka forcë të madhe


Një i krishterë njihet si i tillë nëse ka një zemër që di të lutet e të falë. Në meshën e mëngjesit Papa Françesku foli pikërisht mbi rëndësinë e lutjes. Ungjilli që flet për Shën Martën, të cilës i është kushtuar shtëpia ku banon Papa, ka shërbyer si pikënisje për meditimin e Atit të Shenjtë. Ai tha se lutja bën mrekulli, nëse nuk është vetëm një akt mekanik
Marta e Jona, dy figurat biblike të Besëlidhjes së Re e të Vjetër, që na paraqet liturgjia e sotme kanë një karakteristikë të përbashkët: nuk dinë të luten. Në këtë prizëm i ka shtjelluar leximet Papa Françesku, që është mbështetur tek skena e famshme e Ungjillit në të cilën Marta gati e qorton Jezusi, me qëllim që e motra, në vend që të rrijë ulur duke dëgjuar Mësuesin, të çohet e ta ndihmojë të shërbejë. Por Jezusi i përgjigjet: “Maria zgjodhi pjesën më të mirë”. Kjo pjesë, thotë Papa, është ajo e lutjes, e kundrimit të Jezusit:
“Nga pikëpamja e së motrës ishte humbje kohe, madje i dukej, ndoshta, pak ëndërrimtare: e shikon Zotin si të ishte një fëmijë e mrekulluar. Po kush e do këtë gjë? Zoti: ‘Kjo është Pjesa më e mirë’, sepse Maria e dëgjonte Zotin dhe lutej me zemër. Zoti na thotë kështu: ‘Detyra e parë në jetë është kjo: lutja’. Megjithatë, jo lutja me fjalë, si papagalli, por lutja, zemra: e shikon Zotin, e dëgjon Zotin, i kërkon Zotit. Ne e dimë se lutja bën mrekulli”.
Edhe në qytetin e Ninivës lutja e bën mrekullinë. Atje profeti Jona shpall në emër të Hyjit shkatërrimin e afërt, por qyteti shpëton, sepse banorët, që i besojnë profecisë, kthehen që të gjithë dhe i kërkojnë falje Hyjit me gjithë forcën që kanë. Por edhe në këtë histori shpëtimi Papa vë në dukje një qëndrim të gabuar, qëndrimin e Jonës, që kërkon drejtësi pa mëshirë ashtu si Marta, e cila është e prirë ta jetojë shërbimin pa u kujdesur për brendinë e vet:
“E Marta bënte këtë: çfarë bënte? Po ajo nuk lutej! Ka edhe të tjerë që janë si Jona, kokëfortë, zbatues të drejtësisë. Ai shkonte, predikonte, por në zemrën e vet thoshte: ‘Këta e meritojnë. Vetë e kanë kërkuar!’. Ai profetizonte, por nuk lutej. Nuk i kërkonte falje Zotit për ta. Vetëm i qortonte. Janë zbatuesit e drejtësisë, ata që mendojnë se janë të drejtë. E në fund – vijon libri i Jonës – shihet se ishte njeri egoist, sepse kur Zoti e shpëton Niniven, falë lutjes së popullit, ai u zemërua me Zotin: ‘Ti je gjithmonë kështu. Ti fal gjithmonë’”.
Lutja, nëse është formulë e thatë, pa zemër, sikurse edhe pesimizmi apo etja për një drejtësi pa falje, janë tundimet nga të cilat një i krishterë duhet të ruhet gjithmonë. I krishteri, thotë Papa, duhet të arrijë të zgjedhë pjesën më të mirë:
“Edhe ne, kur nuk lutemi, i mbyllim derën Zotit. Të mos lutesh do të thotë t’i mbyllësh derën Zotit, që ai të mos jetë në gjendje të bëjë asgjë. Ndërsa lutja, përballë një problemi, përballë një gjendjeje të vështirë, një fatkeqësie, i hap derën Zotit, që ai të vijë. Ai i ripërtërin gjërat, di si t’i rregullojë gjërat dhe t’i vërë në vend. Lutja është kjo: hapja e derës për Zotin, që të mund të bëjë diçka. Por nëse ia mbyllim derën, Zoti nuk mund të bëjë asgjë. Le të mbajmë mend Marinë, që ka zgjedhur pjesën më të mirë e na tregon rrugën si i hapet dera Zotit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.