2013-10-08 13:21:17

Papa cakton datat e Sinodit të ri të Ipeshkvijve mbi temën e familjes


Papa Françesku caktoi sot datat e Asamblesë së tretë të përgjithshme të jashtëzakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve: do të mbahet në Vatikan, nga 5 deri më 19 tetor 2014 dhe do të ketë për temë “Sfidat baritore të familjes në kuadrin e ungjillëzimit”.
Ky vendim u mor pas mbledhjes së pestë të Këshillit të 13-të të zakonshëm të sekretarisë së Sinodit të Ipeshkvijve, që përfundoi sot në Vatikan. Në sesionin e pasdites së djeshme mori pjesë edhe Papa Françesku, në vazhdën e impenjimit për reforma në gjirin e Kishës Katolike, ndër të cilat, riorganizimi i Sinodit si organ këshillimor për Atin e Shenjtë zë një ndër vendet kryesore.
Drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi deklaroi se ky Sinod i jashtëzakonshëm për temën e familjes është mënyra me të cilën Papa dëshiron të reflektojë për udhën e Kishës, duke bashkëpunuar me ipeshkvijtë e të gjithë botës. Prandaj, propozimi i zgjidhjeve baritore nga ana e personave, apo zyrave lokale mund të krijojë konfuzion, nënvizon atë Lombardi. Duhet vënë në dukje rëndësia për të ecur përpara në bashkim të plotë me krejt Kishën.








All the contents on this site are copyrighted ©.