2013-10-08 11:52:01

Afërsia e Papa Françeskut me të mbijetuarit e Lampeduzës. 231, trupat e gjetura në det


Papa Françesku vazhdon të interesohet për emigrantët e mbijetuar, pas fundosjes tragjike të barkës, ku ndodheshin rreth 500 vetë, të enjten, para ishullit italian të Lampeduzës. Deri tani, zhytësit kanë arritur të gjejnë 231 kufoma. I dërguari i Atit të Shenjtë në ishull, kryeipeshkvi Konrad Krajevski, Lëmoshtar papnor, është interesuar për secilin prej të mbijetuarve, duke u dhënë atyre Rruzaren e bekuar nga Papa si edhe një ndihmë financiare për nevojat e para, siç shkruan në një tweet gazeta vatikanase “L’Osservatore Romano”. Pa dyshim, Lampeduza është njëra nga periferitë ekzistenciale, për të cilat flet shpesh Papa Bergolio, një periferi, që ka zgjuar debate të mëdha në Itali e në Evropë.
Në Romë, diskutohet për ligjin e emigracionit Bosi-Fini, ndërsa presidenti Napolitano kërkon të shqyrtohet tema e strehimit politik, për të cilën Italia nuk ka akoma një normë të mirëpërcaktuar. Nesër, mbërrin në Lampeduzë kryetari i Komisionit Evropian, Hosé Manuel Barroso, i cili sjell solidaritetin e Brukselit në kufijtë jugorë të Bashkimit Evropian. Ndërkaq, dje, në gjirin e Sirakuzës, u shpëtuan dhe u ndihmuan edhe 250 emigrantë të tjerë, ardhur në Evropë për të kërkuar një jetë më të mirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.