2013-10-07 17:29:26

Çështja antropologjike, themeli i jetës shoqërore. Kuvendi i Këshillit Papnor për Familjen


Këshilli Papnor për Familjen, në 30-vjetorin e “Kartës së të Drejtave të Familjes”, organizon një kuvend me temën: ”Horizontet e reja antropologjike dhe të drejtat e familjes” ditën e enjte më 24 tetor pranë Domus Pacis në Romë. Punimet do t’i hapë presidenti i dikasterit, Mons. Vincenzo Paglia. Kardinali filipinas Luis Antonio Tagle, arqipeshkëv i Manilas, do të drejtojë seancën e parë, ndërsa seancën e pasdites do ta drejtojë kardinali nigerian John Olorunfemi Onaiyekan, arqipeshkëv i Abujës. Sekretari i Këshillit Papnor Imz. Jean Laffitte do të mbajë ligjëratën hyrëse me temën: “Themelet teologjike të Kartës së të Drejtave të Familjes”. Folësit e tjerë janë: filozofi dhe juristi spanjoll Andés Ollero; studiuesja amerikane e të drejtave të familjes Teresa Collet; kalorësi i lartë i Kalorësve të Kolombit Carl Anderson; docentja amerikane Jane Adolphe, historiania italiane Lucetta Scaraffia dhe ekonomisti Stefano Zamagni.
Një komunikatë e Këshillit Papnor për Familjen, dhënë me këtë rast, citon filozofin gjerman Hans Georg Gadamer e thotë: “Çdo teori e të drejtave nënkupton një vështrim antropologjik dhe antropologjinë e të drejtave. Është një shkrirje horizonesh”. “Çështja antropologjike” është esenca e çdo kulture, themeli i jetës shoqërore dhe i të drejtës pozitive. Kriza e kohës sonë është kryesisht krizë antropologjike, thoshte Gjon Pali II dhe të njëjtën gjë përsëriste Benedikti XVI dhe rithekson Papa Françesku.
Komunikata kujton se kanë kaluar vetëm pak muaj nga vdekja e njërit prej antropologëve më të mëdhenj të krishterë, Julian Ries, që shkruante: “Ka më se dy milion vite që vrojtojmë rritjen e asaj që quajmë njerizim (…) Në historinë e njerëzimit ka një rritje të ndërgjegjes, që sjell lindjen e kulturave e të feve të mëdha, por vërejmë se që nga shfaqja e vet njeriu është simbolik dhe fetar. Kjo vetëdije është e rëndësishme për kohën tonë”.
Kuvendi, përfundon komunikata, “përbën një rast të rëndësishëm për dialog dhe për rritje jo vetëm në kishë, por edhe në shoqëri. Për këtë arsye, presim një pjesëmarrje të madhe. Kush dëshiron të regjistrohet, mjafton të dërgojë një email në adresën: brenda ditës së premte 18 tetor”.








All the contents on this site are copyrighted ©.