2013-10-07 17:29:37

Seminar për Mulieris Dignitatem në Romë


Këshilli Papnor për Laikët organizon një seminar për të kremtuar 25-vjetorin e Letrës Apostolike të Gjon Palit II Mulieris Dignitatem, botuar më 15 gusht 1988. Pohimi “Hyji ia beson gruas qenien njerëzore” do të jetë filli përshkues i të gjithë seminarit, që do të mbahet në Romë më 10-12 tetor.
Këshilli Papnor për Laikët dëshiron të propozojë një përsiatje të re mbi këtë dokument të rëndësishëm. Mulieris Dignitatem është shkruar fill pas sinodit mbi thirrjen dhe misionin e laikëve në kishë dhe në botë, që është mbajtur në vitin 1987. Sinodi kërkonte një shqyrtim të themeleve antropologjike e teologjike të gjendjes së gruas në jetën e Kishës. Thirrja apostolike postsinodale Christifideles Laici, që u botua pak pas Mulieris Degnitatem, bënte këtë thirrje: “Është e domosdoshme të kalohet nga pranimi teorik i pranisë aktive dhe të përgjegjshme të gruas në Kishë tek realizimi praktik. Kodi i ri i të Drejtës Kanonike ka dispozita të shumta mbi pjesëmarrjen e gruas në jetën dhe misionin e Kishës: janë dispozita që duhen njohur më gjerësisht dhe, duke mbajtur parasysh kërkesat e ndryshme kulturore dhe kujdeset baritore, duhen zbatuar me shpejtësi e vendosmëri më të madhe” (ChL, 51).
“Sot, - thotë komunikata e Këshillit Papnor për Laikët – ndjehet edhe më shumë urgjenca për të vënë në zbatim kërkesat e sinodit për një pjesëmarrje më aktive të gruas në jetën dhe në misionin e Kishës … Gjatë 25 viteve të fundit prania dhe pjesëmarrja e gruas në jetën shoqërore, ekonomike dhe politike është rritur në të gjithë botën ”.
Në seminar do të marrin pjesë ekspertë dhe përfaqësues të shoqatave dhe lëvizjeve që vijnë nga 25 vende, 39 shoqata dhe lëvizje kishtare, 22 rrafshe profesionale, teologë filozofë, edukatorë, docentë universitarë, gazetarë, historianë, mjekë, avokatë, artistë, inxhinierë etj..








All the contents on this site are copyrighted ©.