2013-10-07 13:12:08

Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot: lutje e heshtur për viktimat e Lapeduzës. “Ta lemë zemrën të vajtojë”


Sapo u kthye nga Asizi, dje, në Lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku, para se të fliste për udhëtimin e tij në qytetin italian, qendër e përshpirtërisë françeskane, u kërkoi besimtarëve të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit të bashkohen me të në “lutjen e heshtur” për viktimat e mbytura në Lapenduzë, javën e kaluar.
“Dua të kujtoj bashkë me ju, njerëzit, që humbën jetën në Lampeduzë, të enjten e kaluar. Të lutemi të gjithë në heshtje për këta vëllezër e motra: gra, burra, fëmijë… Ta lemë zemrën të vajtojë. Të lutemi në heshtje”.
Pastaj, Ati i Shenjtë iu kthye udhëtimit të së premtes në qytetin e shën Françeskut e të shën Kiarës:
“Mendoni, ishte hera e parë, që shkoja në Asizi dhe qe dhuratë e madhe ky shtegtim, pikërisht në festën e shën Françeskut. Falenderoj popullin e Asizit për mikpritjen e ngrohtë: shumë faleminderit!”.
Duke marrë shkas nga Ungjilli i së dielës, në Vitin e Fesë, Papa iu lut Krishtit në mënyrë të veçantë:
“Edhe ne, si apostujt, i themi Zotit Jezus: ‘Na e shto fenë!”. Po o Zot, feja jonë është e paktë, feja jonë është e dobët, e brishtë, por ta ofrojmë kështu siç është, që Ti ta shtosh. Le të përsërisim së bashku: O Zot, na e shto fenë! O Zot, na e shto fenë! O Zot, na e shto fenë! Na e shtoftë Hyji fenë”.
E përgjigjja e Zotit është se mjafton të kemi një fe, aq sa kokrra e sinapit, vërtet e vogël, por e vërtetë, e sinqertë, e do të jemi në gjendje të bëjmë gjëra të pamundura e të pamenduara për njeriun:
“Kjo është e vërtetë! Të gjithë njohim njerëz të thjeshtë, të përvuajtur, por me fe shumë të fortë, që me gjithë mend zhvendosin male! Të mendojmë për ato nëna e ata baballarë, të cilët u bëjnë ballë gjendjeve shumë të vështira; ose për disa të sëmurë rëndë, që u përçojnë qetësi atyre, që shkojnë t’i takojnë”.
Njerëz, vërejti Papa, të cilët, pikërisht për hir të fesë, nuk mburren me veprat e tyre. Më pas, Ati i Shenjtë kujtoi se tetori është muaj, që u kushtohet misioneve:
“…të mendojmë për sa e sa misionarë, burra e gra, të cilët për të kumtuar Ungjillin kanë kapërcyer pengesa të çdo lloji, kanë dhënë vërtet, edhe jetën…”
Misioni nuk është vetëm detyrë e meshtarëve dhe e murgeshave, por na përket të gjithëve, shtoi Papa Bergolio:
“…secili prej nesh, me jetën e përditshme, mund ta dëshmojë Krishtin, me forcën e Zotit, me forcën e fesë. Me atë fenë tepër të paktë që kemi, por të fortë, të fuqishme: me atë forcë, të dëshmojmë Jezu Krishtin. Të jemi të krishterë me jetë, me dëshminë tonë”.
E ku e gjejmë këtë forcë, pyeti Ati i Shenjtë:
“E gjejmë tek Zoti, në lutje. Lutja është frymëmarrja e fesë: në marrëdhëniet e besimit, në marrëdhëniet e dashurisë, nuk mund të mungojë dialogu e, lutja është dialogu i shpirtit me Hyjin”.
Tetori është edhe muaji i Rruzares. Në çdo familje, në mbrëmje, si dikur rreth vatrës, mblidhen të gjithë anëtarët për t’iu lutur Zojës, Nënës së Zotit. E pikërisht dje, binte kremtimi i lutjes për Zojën e Pompeit, e cila s’është tjetër, veçse E Lumja Virgjër e Rruzares Shenjte. Papa e kujtoi:
“Bashkohemi shpirtërisht me këtë akt besimi ndaj Nënës sonë, duke marrë nga duart e saj Rruzaren: Rruzarja është shkollë lutjeje, Rruzarja është shkollë feje!”
Pas Lutjes së Engjëllit të Tënzot, Papa Françesku përmendi Rolando Rivin, të riun seminarist italian, vrarë në vitin 1945 për shkak të fesë, në moshën 14-vjeçare. Rivi u shpall të shtunën i Lum nga Kisha Katolike, gjatë kremtimit të meshës në Modena të Italisë. Faji i tij, vuri në dukje Ati i Shenjtë, ishte vetëm sepse vishte rrobën e priftit në një periudhë, kur dhuna kundër klerit kishte marrë përmasa të jashtëzakonshme. Shenjtërinë e tij e tregonte duke ngritur zërin për të dënuar në emër të Zotit vrasjet, menjëherë pas luftës:
“Por, feja në Jezusin fiton mbi shpirtin e botës! Falenderojmë Zotin për këtë të ri martir, dëshmitar heroik të Ungjillit. Sa të rinj 14-vjeçarë, sot, e kanë parasysh këtë shembull: një bashkëmoshatar të guximshëm, që e dinte se për ç’rrugë ishte nisur, e njihte dashurinë e Jezusit në zemrën e vet dhe dha jetën për Të. Një shembull i bukur për rininë…”.
Në fund, Papa Françesku përshëndeti grupet e pranishme, në veçanti, bashkësinë peruviane të Romës, që solli në procesion në Sheshin e Shën Pjetrit, figuren e Zotit të Mrekullive, e cila e ka origjinën në Lima të Perusë.








All the contents on this site are copyrighted ©.