2013-10-07 16:22:19

Papa Françesku njoftohet vazhdimisht për gjendjen në Lampeduzë nga Lëmoshtari Papnor


Papa Françesku informohet vazhdimisht për gjetjen e trupave të emigrantëve, të cilët u mbytën të enjten e kaluar, para ishullit italian të Lampeduzës. Që prej dy ditësh, ai ka dërguar në ishull, Lëmoshtarin Papnor, imzot Konrad Krajevski, i cili, së bashku me Rojen Kufitare Detare, merr pjesë në operacionin e kërkimit të viktimave, duke njoftuar gjithnjë Atin e Shenjtë. Sot, gjetja e 19 trupave të tjera pa jetë e shtoi numrin e viktimave në 213 vetë, por bilanci mbetet gjithnjë i përkohshëm.
Të mërkurën, do të shkojë në Lampeduzë, kryetari i Komisionit Evropian, Hosè Manuel Barroso, ndërsa sot, Parlamenti Evropian i hapi punimet e tij në Strasburg me një minut zi. Në orën 20.15, europarlamentarët dhe qytetarët vendas shprehën simbolikish dhimbjen e tyre për tragjedinë e emigrantëve, me një kortezh me qirinj të ndezur, nëpër udhët e qytetit.
Në nivelin ndërkombëtar, këto ditë, janë hapur debate mbi funksionimin e politikave evropiane të emigracionit, duke pasur parasysh se që nga viti 1998 e deri më sot, në kufijtë e Bashkimit Evropian, kanë gjetur vdekjen 19 mijë vetë. Të dëgjojmë opinionin e drejtorit të Këshillit Italian për Refugjatët, Kristofer Hajn:

Këta njerëz gjetën vdekjen, sepse kërkonin me dëshpërim të hynin në Evropë, në këtë rast në Itali, por edhe në Maltë, në Greqi, në Spanjë. Nuk kanë alternativë tjetër, përveçse mbërritjes si klandestinë në barka, ku venë në rrezik jetën. Që prej 20 vjetësh, me anë të sistemit Shengen, kemi ndërtuar një mur përreth Evropës: kemi një sistem hyrjeje, që e bën të pamundur për këdo - sidomos për afrikanët dhe latinoamerikanët - të arrijë në Evropë me vizë të rregullt. Sistemi Shengen na leverdis ne, qytetarëve komunitarë, pasi na lejon të udhëtojmë pa kontroll në kufijtë e brendshëm, por penalizon pjesën tjetër të botës, sidomos atë që ikën nga lufta, apo kriza në vendin e vet.

Tragjedi si ajo e Lampeduzës lidhen me trafikun e njerëzve, të cilët detyrohen të paguajnë shuma të majme për të kapërcyer Mesdheun. Ç’duhet bërë për t’i vënë fre këtij fenomeni?

Pa dyshim, është e nevojshme të monitorizojmë gjithçka ndodh në kanalin e Siçilisë e në Mesdhe. Por, duhet shkuar në rrënjët e problemit. Italia, për shembull, akoma nuk ka një ligj për refugjatët, por, gjithsesi, ligji duhet të pasqyrojë normativat evropiane, të cilat nuk parashikojnë mundësinë për të paraqitur kërkesën për azil politik jashtë kufijve të Evropës. Duhet të jesh fizikisht i pranishëm – për shembull, në Lampeduzë – për të kërkuar mbrojtje. Hipotizojmë rastin e një gruaje nga Eritrea, që ndodhet në Tripoli të Libisë. Nuk mund të kthehet në vendin e vet; nuk mund të qëndrojë në Libi, ku nuk ka asnjë mundësi për të kërkuar strehim politik; nuk mund të niset për në Evropë, sepse nuk ia japin vizën, prandaj e vetmja mënyrë është përdorimi i mjeteve të paligjshme, si barkat e shpresës. Bashkimi Evropian duhet të hapë kanale, që i japin mundësinë kësaj gruaje e të tjerëve si ajo, të shkojnë në një ambasadë perëndimore për të kërkuar mbrojtje. Pak e dinë se gjendja e grave në Eritre është shumë e rëndë, për shkak të një lloj shërbimi ushtarak të detyrueshëm, pa kufij kohorë. E nuk duhen harruar abuzimet kundër tyre nëpër kazermat e vendit. Prandaj, nuk është e rastit, që gratë përpiqen të arrijnë me çdo mjet në Evropë.







All the contents on this site are copyrighted ©.