2013-10-04 16:38:30

Papa u tha meshtarëve e murgeshave të Asizit ta dëgjojnë Fjalën e Zotit, të ecin me Popullin e Hyjit e të shkojnë në periferitë ekzistenciale


Pas meshës, në një makinë Fiat Panda blu, në stilin varfanjak të Bergolios, Papa shkoi në burgjet e shën Françeskut, për t’u lutur aty ku shenjti mbyllej i vetmuar për të folur vetëm me Zotin. E pastaj, në katedralen e shën Rufinit, për t’u takuar me klerin e dioqezës, në një atmosferë - mund të themi pa frikë - të lulëzuar, për shkak të tapetit me petale lulesh, me të cilin e pritën artistët e vendit, të njohur në të gjithë botën për “infioratën”. E herë me letër e herë pa letër, Papa shtjelloi mendimin e tij për aspekte të ndryshme të jetës së shuguruar. Nuk kam receta të reja, u tha meshtarëve e murgeshave, e as mos u besoni atyre, që thonë se i kanë. Së pari, tha Ati i Shenjtë, të dëgjojmë Fjalën e Zotit:RealAudioMP3
“Mendoj për meshtarin, që e ka për detyrë të predikojë. Si mund të predikojë, nëse më parë nuk dëgjon, në heshtje, në zemër? Mendoj për babanë e nënën, që janë edukatorët e parë: si mund të edukojnë, nëse ndërgjegjja e tyre nuk shndritet nga Fjala e Zotit. Cili është shembulli që mund t’u japin bijve? Si u flasin, me fjalët e Hyjit, apo me ato të emisionit të lajmeve? E mendoj për katekistët… nëse zemra e tyre nuk ngrohet nga Fjala, si mund t’i ngrohin zemrat e të tjerëve, të fëmijëve, të të rinjve, të të rriturve? Nuk mjafton të lexojmë Shkrimin Shenjt, duhet të dëgjojmë Jezusin… është Shpirti i Zotit që i bën të gjalla shkrimet”.
Aspekti i dytë është ecja me Popullin e Zotit, duke bashkëpunuar, duke e ndihmuar atë, duke kërkuar falje për gabimet, si në një familje të madhe. Së fundi, Papa vuri theksin në aspektin misionar të jetës së shuguruar. Çdo njeri i Kishës duhet ta kumtojë Ungjillin deri në periferi e Papa nënkupton këtu periferitë ekzistenciale, ato të shpirtit e jo thjesht periferinë e një qyteti.







All the contents on this site are copyrighted ©.