2013-10-04 18:11:34

Papa: murgeshat të jenë të gëzueshme e të mos buzëqeshin si stuardesat e avioneve


“Më vjen keq, kur shoh murgesha, që nuk janë të gëzuara, që ndoshta, buzëqeshin si të ishin stuardesa avioni e jo me buzëqeshjen plot gëzim, që vjen nga shpirti”. Kështu tha sot Papa Françesku, duke folur me murgeshat e klauzurës, të cilat i takoi në Bazilikën e shën Kiarës, në Asizi. Në takim, të pranishëm edhe disa kardinaj, në mesin e të cilëve grupi i tetëshes – këshilltarë të Atit të Shenjtë për reformat në Vatikan. Papa bëri shaka edhe për këtë aspekt. Mendova se do të ishim vetëm, u tha murgeshave, por nuk kam guxim t’i përzë kardinajtë.
Duke folur pa letër, me dorë në zemër (siç do të thoshin shqiptarët) nënvizoi se jeta e murgeshave të klauzurës nuk është izolim, por në marrëdhëniet e ngushta me Jezusin, bëhet “madhërisht njerëzore”. Murgeshat duhet të kenë humanitet të jashtëzakonshëm, këshilloi Papa Françesku, por pa “ide tepër abstrakte”, sepse – qeshi Ati i Shenjtë – “ta lodhin kokën”. Më pas, u kërkoi murgeshave të shën Kiarës të jenë “nëna” e ta mendojnë pozitivisht jetën e bashkësisë.
“Falni, durojeni njëra-tjetrën – u tha – sepse jeta në bashkësi nuk është e lehtë, djalli përfiton nga gjithçka për t’ju përçarë… Duajeni njëra-tjetrën. Kuvendi të mos i ngjajë purgatorit, por familjes: problemet janë e do të jenë, por zgjidhen ashtu siç bëhet në familje, me dashuri”.








All the contents on this site are copyrighted ©.