2013-10-03 13:46:14

“Turp i madh, kurrë më tragjedi të tilla”: kështu Papa Françesku për dramën e emigrantëve në Lampeduzë, në 50-vjetorin e “Pacem in Terris”


Donte të fliste për paqen sot, Papa Françesku, gjatë audiencës me pjesëmarrësit e ditëve për kremtimin e 50-vjetorit të Enciklikës “Pacem in Terris”, nënshkruar nga i Lumi Gjoni XXIII më 11 prill të vitit 1963, në kulmin e Luftës së Ftohtë, ndërsa nuk kishte kaluar as një vit nga radiomesazhi i famshëm i 25 tetorit 1962, me të cilin Ati i Shenjtë u bënte thirrje të mëdhenjve të botës, në prag të një konflikti të mundshëm atomik: “Vini dorën në zemër e dëgjojeni britmën plot ankth që ngrihet në Qiell nga të gjitha skajet e tokës, që nga fëmijët tek të moshuarit, që nga personat tek bashkësitë: Paqe, paqe!”.
Donte të fliste për këtë paqe, Papa Françesku, sepse edhe sot, si 50 vjet më parë, paqja është një nga emergjencat e pazgjidhura të njerëzimit, mjafton të shohim ç’po ndodh në Lindjen e Mesme e në Siri. Donte të fliste për paqen Papa – dhe foli – por jo pa kujtuar një nga tragjeditë, që ndodhin përditë në Detin Mesdhe: mbytjen e një barke me 500 emigrantë në të, shumë prej të cilëve gra e fëmijë. Gjendje, që Ati i Shenjtë e përshkroi si mungesë të paqes, si mungesë respekti për njeriun, duke kujtuar me dhimbje të thellë viktimat e shumta mbytur dje para ishullit italian të Lampeduzës, ku vetë Papa shkoi për t’u takuar me emigrantët, në udhëtimin e tij të parë, pas një zbarkimi masiv, më 8 korrik të këtij viti:
“Më vjen fjala ‘turp’… Është trup! T’i lutemi së bashku Zotit për ata, që kanë humbur jetën: burra, gra, fëmijë… të lutemi për familjarët e për të gjithë refugjatët. T’i bashkojmë forcat që të mos përsëriten më tragjedi të tilla! Vetëm bashkëpunimi i vendosur i të gjithëve mund t’i parandalojë!”
Vetëm pak më parë, duke përshkruar temat e kuvendit për 50-vjetorin e Enciklikës “Pacem in Terris”, si emergjenca edukative, ndikimi i mjeteve të komunikimit në ndërgjegjet e njerëzve, përdorimi i lëndëve të para, etika e përdorimit të kërkimeve në fushën e biologjisë, armatosja dhe masat e sigurisë kombëtare e ndërkombëtare – të gjitha tema, që ndikojnë fuqimisht në fluksin e emigracionit në botë – Ati i Shenjtë pyeti:
“ ‘Pacem in Terris’ përvijon një linjë, e cila shkon nga paqja për t’u mbrujtur në zemrën e çdo njeriu tek rishikimi i modelit tonë të zhvillimit e të veprimit në të gjitha nivelet, që bota jonë të jetë botë e paqes. Pyes nëse jemi gati ta vemë në jetë ftesën e enciklikës”.
Pavarësisht se janë shembur mure e kanë rënë barriera, theksoi Papa Françesku, bota ka akoma nevojë për paqe, prandaj “Pacem in Terris” mbetet gjithnjë aktuale. Por cili është themeli mbi të cilin ndërtohet paqja? Enciklika e Gjonit XXIII pohon se është zanafilla hyjnore e njeriut, e shoqërisë dhe e vetë autoritetit, që i impenjon njerëzit, familjet, grupet shoqërore e shtetet të jetojnë në drejtësi e solidaritet. Por këto, e ngre zërin Ati i Shenjtë, janë vetëm fjalë në fjalor, apo të gjithë ne punojmë për t’i kthyer në realitet:
“Është detyrë e të gjithë njerëzve të ndërtojnë paqen, sipas shembullit të Jezu Krishtit, përmes këtyre dy rrugëve: nxitja e zbatimi i drejtësisë me dashuri e vërtetësi dhe dhënia e kontributit, secili sipas mundësive, në zhvillimin e përgjithshëm njerëzor, sipas logjikës së solidaritetit”.
Duke pranuar zanafillën hyjnore të njeriut, vazhdoi Papa, Enciklika “Pacem in Terris” vinte në pah vlerën e dinjitetin e secilit, që duhet mbrojtur e respektuar gjithnjë, duke u dhënë të gjithëve të drejtat qytetare e politike, por edhe mundësinë reale për të pasur ushqim, shtëpi, kura shëndetësore, arsim, mundësi për të formuar e mbajtur familjen. Pas 50 vjetësh, vërejti Ati i Shenjtë, a e gjejmë këtë lloj zhvillimi në shoqëri?
“Kriza ekonomike botërore, që është simptomë e rëndë e mungesës së respektit për njeriun e për të vërtetën, me të cilën janë marrë vendime nga ana e qeverive dhe e qytetarëve, na e thotë qartë këtë”.
Kisha, përfundoi Papa Françesku, nuk jep zgjidhje konkrete për tema politike dhe ekonomike, të cilat i duhen lënë diskutimit të lirë, por pa dyshim, e ka për detyrë të nxisë dialogun, respektin, durimin, sinqeritetin, deri në ndryshimin e mendimit e të mendësisë së secilit, nga individi tek shteti.








All the contents on this site are copyrighted ©.