2013-10-03 16:03:32

Papa në meshën e mëngjesit: Përkujtimi nuk është thjesht kujtesë. Mesha nuk është mbledhje shoqërore.


“Kur Hyji vjen e afrohet, është gjithmonë festë”: mbi këtë gjë vuri theksin Papa Françesku në meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në të cilën morën pjesë anëtarët e “Këshillit të kardinalëve” që gjatë këtyre ditëve është mbledhur me Papën në Vatikan. Gjatë predikimit, papa nënvizoi se nuk duhet ta shndërrojmë përkujtimin e shpëtimit në një kujtim, në një “ngjarje të rëndomtë”. Meshta nuk është një ngjarje shoqërore, por prania e Zotit mes nesh.
Esdra lexon Librin e Ligjit, që mendohej se kishte humbur, ndërsa populli, i mallëngjyer, qan nga gëzimi. Papa Françesku është nisur nga pjesa e librit të Nehemisë, leximi i parë i sotëm, për ta përqendruar homelinë mbi temën e përkujtimit. Populli, tha Ati i Shejtë, “e kishte përkujtimin e Ligjit, por ishte një përkujtim i largët”, ndërsa atë ditë “përkujtimi është afruar” e kjo gjë prek zemrën. Ata qanin nga gëzimi, jo nga dhimbja, sepse po përjetonin afërsinë e shpëtimit.
“Kjo është e rëndësishme jo vetëm në momentet e mëdha historike, por në momentet e jetës sonë: të gjithë e kemi përkujtimin e shpëtimit, të gjithë. Por unë e pyes veten: ky përkujtim është afër nesh, apo është një përkujtim disi i largët, disi i vjetërsuar, pak a shumë për muze, që mund të shkojë larg… e kur përkujtimi nuk është afër, kur nuk e përjetojmë afërsinë e përkujtimit, ai hyn në një proces tjetërsimi dhe përkujtimi bëhet thjesht kujtim”.
Kur përkujtimi largohet, shtoi Papa, “shndërrohet në kujtim; por kur afrohet, kthehet në gëzim e ky është gëzimi i popullit”. Pastaj vijoi duke thënë se ky është një “parim i jetës sonë të krishterë”. Kur përkujtimi afrohet, “bën dy gjëra: ngroh zemrën dhe jep gëzim”:
“Ky gëzim është forca jonë. Gëzimi i përkujtimit të afërm. Përkujtimi i zbutur, që venitet e bëhet thjesht kujtim, nuk e ngroh zemrën, nuk na jep gëzim as forcë. Ky takim me përkujtimin është ngjarja e shëlbimit, është takim me dashurinë e Hyjit që ka bërë histori me ne e na ka shpëtuar; është takimi i shpëtimit. Shpëtimi që gjejmë është kaq i bukur, sa duhet festuar”.
“Kur Hyji vjen e afrohet, – pohon Ati i Shenjtë – është përherë festë. Shpesh herë ne të krishterët kemi frikë nga festa, nga kjo festë e thjeshtë e vëllazërore, që është dhurata e afërsisë së Zotit”. Jeta, shton Papa, na çon larg nga kjo afërsi e mbetemi vetëm me kujtimin e shpëtimit, jo me përkujtimin, që është i gjallë”. Kish ka përkujtimin e saj, përkujtimin e mundimeve të Zotit. Edhe neve na ndodh të largohemi nga ky përkujtim e ta shndërrojmë në një kujtim, në një ngjarje të rëndomtë.
“Çdo javë shkojmë në kishë, ose, kur vdes dikush, shkojmë në funeral … e ky përkujtim, shpesh herë, bëhet i mërzitshëm, sepse nuk është i afërt. Është e trishtueshme, por shpesh herë mesha shndërrohet në një ngjarje shoqërore e nuk jemi afër përkujtimit të Kishës, që është prania e Zotit para nesh. Le të mbajmë parasysh këtë skenë të bukur të librit të Nehemisë: Esdra, që mbart librin e përkujtimit të Izraelit, dhe populli, që i afrohet përkujtimit të vet dhe qan, i ngrohet zemra, ndjen gëzim, ndjen se gëzimi i Zotit është forca e tij. Është festa, pa frikë, në thjeshtësi”.
“T’i lutemi Zotit, -përfundon papa, të na japë hirin që ta mbajmë gjithmonë pranë përkujtimin e tij, një përkujtim i afërt e jo i dobësuar për shkak të zakonit dhe të shumë gjërave, i larguar si një kujtim i çfarëdoshëm”.








All the contents on this site are copyrighted ©.