2013-10-03 14:25:03

Atë Lombardi: reforma e Kuries do të jetë e thellë. Po punohet për një Kushtetutë të re


Reforma e Kuries Romake, për të cilën po mendon Papa Françesku, në përfundim të mbledhjes triditore me grupin e 8 kardinajve, do të jetë e thellë e jo thjesht “retushim kozmetik, apo ndryshime të vogla”. Kështu deklaroi drejtori i Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, në konferencën e sotme për shtyp. Po mendohet, sqaroi ai, për kapërcimin e Kushtetutës aktuale “Pastor Bonus”, që përmban normat për jetën e Kuries e të qeverisjes së Kishës Katolike,miratuar në vitin 1988 nga i Lumi Gjon Pali II, e për hartimin e një Kushtetute të re, me risi të rëndësishme.
Do të vihet në dukje, vazhdoi atë Lombardi, sidomos aspekti i “shërbimit” të Kuries për Kishën universale e për Kishat lokale, jo duke e përqendruar autoritetin në qendër, pra në Vatikan, por kundër centrizmit romak. Në këtë këndvështrim, do të shihet edhe reforma e Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, e cila do të jetë “sekretaria e Papës”, që e ndihmon Atin e Shenjtë në shërbimin e tij baritor e në qeverisjen e Kishës. Një ndryshim perspektive ky, siç sqaroi zëdhënësi i Vatikanit, që merr rëndësi të veçantë më 15 tetor, kur fillon detyrën Sekretari i ri i Shtetit, imzot Pjetro Parolin.
Kardinajtë, vazhdoi atë Lombardi në raportin e tij për gazetarët, kanë folur edhe për një figurë të re në Vatikan, për një “Moderator curiae”, i cili do të shërbejë si nyjë lidhëse ndërmjet dikastereve e zyrave të ndryshme të Selisë së Shenjtë. Tani për tani, nuk është marrë asnjë vendim për këtë. E së fundi, është folur edhe për një temë shumë të dashur për Papën Françesku, për rolin e laikëve në Kishë e për përfshirjen e tyre në administrimin konkret të jetës së saj, si edhe për Sinodin e ipeshkvijve e mënyrën e zhvillimit të tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.