2013-10-02 14:27:17

Siria, paqja në vendet në konflikt, zhvillimi i qëndrueshëm. Fjala e Imz. Mambertit në OKB


Paqja është një kusht i paanashkalueshëm për zhvillimin e tërësishëm njerëzor. Paqja dhe synimet për zhvillim në të mirë të çdo banori të tokës mund të arrihen vetëm nëse çdo shtet ”merr mbi vete tërë përgjegjësinë e vet për të mirën e përbashkët të të gjithëve”. Kështu ka thënë dje në New York Imz. Mamberti, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, gjatë fjalimit në seksionin e 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që iu kushtua tragjedisë siriane. Duke nënvizuar rëndësinë e temës së zgjedhur për seancën,: ”Të përgatisim truallin për programin për zhvillim pas 2015-tës”, Imz. Mamberti vuri në dukje si pas pak më shumë se një viti nga afati i caktuar nga OKB-ja për objektivat e Mijëvjeçarit, këta mbeten përbotërisht të paarrira. Kjo ndodh kryesisht për shkak të vështirësive për të zgjedhur mjetet për realizimin e Objektivit të tetë, që ka të bëjë me burimet e nevojshme për arritjen e shtatë të tjerëve. Në lidhje me këtë, Mamberti ka vënë në dukje se si pas krizës së 2008 është e ngutshme të përfshihen të gjitha shtetet për përkufizimin e politikave ekonomike ndërkombëtare për mbështetjen e një finance më të përgjegjshme dhe më të barabartë. Edhe krijimi i një sistemi financiar ndërkombëtar i njohur nga të gjitha shtetet, vijon diplomati i Vatikanit, do të ishte i pamjaftueshëm po të mos ballafaqoheshin në mënyrë të qëndrueshme përfundimet me objektivat e caktuar për përmirësimin e kushteve të jetës së atij që është në nevojë. Nyja kryesore mbetet ajo e paqes, pa të cilën nuk mund të ketë zhvillim. Për këtë arsye është i domosdoshëm një rikthim tek parimet themeltare mbi të cilët është angazhuar solemnisht bashkësia ndërkombëtare para 70 vjetësh, duke filluar që nga kufizimi i përdorimit të forcës për zgjidhjen e konflikteve. ”Është tragjike të konstatosh se ende sot, mekanizmat e zgjedhur nga OKB-ja nuk kanë mundësuar shmangien e konflikteve të rënda civile e rajonale, as mbrojtjen e popujve”, thotë Mamberti. Kjo shihet në rastin e Kongos, të Afrikës Qendrore dhe të Lindjes së Mesme. Pavarësisht këtyre vështirësive, theksoi ai. Përvoja e OKB-së për ruajtjen dhe forcimin e paqes duhet vlerësuar si pozitive, sepse shpreh në mënyrë konkrete dy parimet e mëdha të së drejtës natyrale që lidhen ngushtë me të drejtat e njeriut: shmangia e luftës, për sa të jetë e mundur, dhe vlefshmëria e përhershme e ligjit moral gjatë konflikteve të armatosura. Më tej Mamberti është ndalur tek çështja siriane, duke paraqitur shqetësimin e thellë të Selisë së Shenjtë për gjendjen e të krishterëve dhe të pakicave të tjera siriane, që ”nuk duhet të detyrohen të kërkojnë azil, por, përkundrazi, duhet të luajnë rol në përbërjen politike të ardhshme të vendit dhe duhet të ndihmojnë për të mirën e përbashkët. Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet ka kujtuar edhe thirrjen që Papa Françesku u ka drejtuar udhëheqësve të G20 në Shën Pjetërburg mbi përgjegjësinë e bashkësisë ndërkombëtare kundrejt Sirisë dhe për zgjidhjen paqësore të konfliktit me anë të dialogut. Pa e nënçmuar angazhimin e agjencive të OKB-së për mbrojtjen e civilëve, ka thënë se shteteve u mungon guximi ”për t’i dhënë përparësi më të madhe angazhimit ndërkombëtar për zgjidhjen e konflikteve”. Ka kujtuar parimin e ”përgjegjësisë për të mbrojtur”, të formuluar nga kryesia botërore e OKB në 2005 dhe plotësisht të pranuar nga Selia e Shenjtë. Kjo përgjegjësi, tha, nuk nënkupton vetvetiu përdorimin e armëve, por vënien në veprim të menjëhershëm të të gjitha masave rrethanore si diplomacia, ekonomia, opinioni publik dhe të gjitha procedurat që parashikon Karta e Kombeve të Bashkuara. Në këtë kuptim, tragjedia e Sirisë përbën ”një sfidë dhe një mundësi për OKB-në”. Në lidhje me këtë Mamberti ka shprehur vlerësimin e Selisë së Shenjtë për Resolutën 2118 mbi zhdukjen e armëve kimike në Siri, të miratuar nga Këshilli i sigurisë më 27 shtator. Duke përfunduar, tha: ”Një zgjidhje paqësore dhe afatgjatë e konfliktit sirian do të vendoste një precedent domethënës për shekullin tonë dhe do të lehtësonte përfshirjen e parimit të ”përgjegjësisë për të mbrojtur” në Kartën e Kombeve të Bashkuara.”








All the contents on this site are copyrighted ©.