Reforma e Kuries, Sinodi e kolegjialiteti, në qendër të punimeve të Këshillit të Kardinajve.
Konferencë shtypi e atë Federiko Lombardit
Përfundon nesër në Vatikan, mbledhja e Këshillit të Kardinajve, grupit të tetë prelatëve,
që kanë për detyrë ta ndihmojnë Papën Françesku në qeverisjen e Kishës e në rishikimin
e Kushtetutës Apostolike “Pastor Bonus” për Kurien Romake. Punimet filluan dje paradite
në Bibliotekën private të apartamentit papnor në Pallatin Apostolik për të vazhduar
sot në Shtëpinë e Shën Martës. Ati i Shenjtë ishte gjithnjë i pranishëm, me përjashtim
të kohës së audiencës së përgjithshme. Për këto punime, sot, drejtori i Sallës
së Shtypit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi mbajti një konferencë me gazetarët.
Theksoi se punimet e grupit të kardinajve filluan me reflektime nga Koncili II i Vatikanit
e nga këndvështrimi i përgjithshëm teologjik e shpirtëror për Kishën Katolike, pasi
riorganizimi i Kuries Romake bën pjesë në këtë këndvështrim e nuk është thjesht punë
administrative: “Anëtarët e Këshillit ishin përgatitur, pati edhe reflektime
me karakter teologjik, shpirtëror, nga ana e tyre, për të kujtuar e për të shikuar
drejt perspektivës së Kishës, frymëzuar nga Koncili, për të përtërirë misionin e saj,
marrëdhëniet ndërmjet Kishës universale dhe Kishave lokale; pati reflektime mbi temën
e bashkimit, të pjesëmarrjes, të kolegjialitetit në drejtimin e Kishës, mbi temën
e Kishës së të varfërve, mbi rolin e laikëve në Kishë, mbi karakterin e shërbimit
të të gjitha institucioneve kishtare e mbi përgjegjësinë e të gjithë anëtarëve të
Kishës për të mirën e përbashkët”. Dje pasdite, në Shtëpinë e Shën Martës,
vazhdoi sqarimet atë Lombardi, u fol për Sinodin e ardhshëm të ipeshkvijve. Papa Françesku
e ka lajmëruar temën e Sinodit, temë antropologjike, kushtuar njeriut e familjes në
dritën e Ungjillit. Ishte i pranishëm në mbledhje edhe Sekretari i ri i përgjithshëm
i Sinodit, imzot Lorenco Baldiseri: “Iu dha një farë përparësie kësaj teme,
qysh në mbledhjen e pasdites së djeshme, si për rëndësinë e pjesëmarrjes së ipeshkvinjve,
përmes Sinodit, në jetën e Kishës universale, ashtu edhe për urgjencën në saktësimin
e fillimin e përgatitjes për Sinodin e ardhshëm”. Argumenti tjetër i rëndësishëm
në mbledhjen e kardinajve ka të bëjë me baritorinë familjare e martesore, për të cilën
Papa ka kërkuar shpesh studime e thellime. Sipas zëdhënësit të Vatikanit, kjo temë
do të jetë në plan të parë të veprimtarisë së Kishës në muajt e ardhshëm. Pas një
ose dy javësh, Sekretaria e Sinodit do të japë informacione më të sakta për këtë.
Përsa i përket reformës së Kuries Romake, atë Lombardi nënvizoi disa aspekte: “Marrëdhëniet
e dikastereve me Atin e Shenjtë, koordinimi ndërmjet dikastereve dhe funksioni i Sekretarisë
së Shtetit e kështu me radhë… Janë tema shumë të gjera, të ndërlikuara, për të cilat
ka një sasi të madhe sugjerimesh. Tani po punojnë mbi këtë tematikë”.