2013-10-02 15:35:40

Paqja kalon përmes dialogut. Mesazhi i takimit mes feve organizuar nga “Shën Egjidi” në Romë


Kjo është koha e volitshme për revoltën e shpresës, duke u nisur nga besimet fetare. Ky është apeli i udhëheqësve fetarë, që janë takuar në Romë, në takimin e XXVII për paqen, organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit, me titullin” Guximi i shpresës”. Pas tryezave të rrumbullakëta, që prej të hënës kanë prekur temat më aktuale, mbrëmë, në një ceremoni në sheshin e Campidoglio-s, kryetarët e besimeve të ndryshme fetare kanë firmosur një apel, që synon t’i japë një shtysë dialogut mes besimtarëve përkatës.
Kriza ka shkaktuar varfërim për të gjithë. Jo vetëm varfërim ekonomik, por edhe të ideve, të shpresave dhe të ëndrrave. Udhëheqësit fetarë firmosin thirrjen për paqen 2013 dhe i kërkojnë botës të luftojë me “Guximin e shpresës” kundër vetëdorëzimit dhe pesimizmit, që vijnë nga lufta e nga dhuna. “Mjaft me kulturën e armiqësisë, që na pengon të shohim tek tjetri pasurimin vetëm për vete”, thotë thirrja. Besnikëria ndaj rrënjëve përkatëse na shtyn të takohemi me njëri-tjetrin, prandaj “e dëbojmë terrorizmin fetar dhe përdorimi i emrit të Hyjit për të vrarë është blasfemi. Terrorizmi fetar e mohon fenë që në rrënjë”. Lufta fitohet vetëm me paqe, prandaj është e nevojshme një lëvizje botërore për paqen. Sipas themeluesit të bashkësisë së Shën Egjidit Andrea Riccardi, të gjitha besimet fetare duhet të çlirohen nga kushtëzimet që i mbajnë të mbyllura në mendimet e veta:
“Ne jemi shumë afër me atë që që thotë Papa Françesku, sepse ai po prek disa pika jetike të kohës sonë dhe të realitetit tonë. Papa Françesku po jep një mesazh shprese, që nuk është një kod, por kërkon të përvetësohet nga ne më parë: të gjitha fetë janë të angazhuara, sepse terrorizmi i përçan fetë”.
Për t’iu kundërvënë terrorizmit fetar nuk mjaftojnë armët, por duhet paqja mes feve, thotë Riccardi, duhet një revoltë e shpirtit. Pamja, në Campidoglio, e të gjithë udhëheqësve fetarë pranë njëri-tjetrit, duke firmosur thirrjen për paqe e duke ndezur qirinjtë e paqes, është një shfaqje e ringritjes shpirtërore, që, sipas Riccardi-t, është “një mesazh që shkon më larg nga ç’mund të besojmë. Është bërë e ngutshme, pra, nevoja për të krijuar një lëvizje të madhe për paqen, që zë fill nga fetë.
Në këtë takim ishin të pranishëm Arqipeshkvi i Tiranës dhe Durrësit Imzot Rrok Mirdita, Arqipeshkvi i Tivarit Imzot Zef Gashi, Ipeshkvi i Sapës Imzot Lucjan Avgustini dhe Administratori Apostolik i Kosovës Imzot Dodë Gjergji.
Takimi i 2014-tës do të jetë në Anversë, Belgjikë, meqë është vendi i parë që qe pushtuar nga gjermanët.








All the contents on this site are copyrighted ©.