2013-10-01 15:50:19

Shën Tereza e Krishtit Fëmijë


Në letrën drejtuar kardinalit Ivan Dias, prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve, me rastin e Vitit të Misionit në Francë dhe të 80-vjetorit të shpalljes së Shën Terezës së Krishtit Fëmijë ‘Pajtore e Misioneve’, Benedikti XVI porosit: “Çdo i krishterë të jetë misionar atje ku jeton, ashtu si Shën Tereza e Lisië e cila, ndonëse nuk u largua kurrë nga Karmeli, gjeti udhën e vet për të jetuar me shpirt të vërtetë misionar, ‘një rrugë e re shpirtërore’ dhuruar botës, që ndihmoi shumë në lindjen e thirrjeve të reja meshtarake e rregulltare”.
1 tetori është dita e kremtimit të festës së Shën Terezes Martin, një nga Shenjtoret më të njohura, doktore e Kishës, mësuese e kohëve moderne, Pajtore e Misioneve dhe Pajtore e dytë e Francës.
Shën Tereza lindi në Alençon, në Francë, nga një familje e borgjezisë të vogël (i ati ishte orëndreqës), ku mori edukatë katolike. Në moshë ende të njomë, u dallua për besimin e thellë fetar si dhe për një karakter të pavarur.
Zgjodhi shumë shpejt rrugën e Karmelit, duke u mbyllur në një nga kuvendet e Klauzurës ku kaloi vitet e pakta të jetës së saj në një atmosferë thellësisht mistike. Vdiq nga tuberkulozi pa i mbushur ende 24 vjetët. Ndërronte jetë, në sa nata e 30 shtatorit i hapte shtegun ditës së 1 tetorit. Vinte te këmbët e Kryqit vuajtjet e saj, si flije shpërblimi për shpirtrat e mëkatarëve. Eshtë shenjtja e dialogut dhe e buzëqeshjes. Duke vdekur, la pas vetes, gjithmonë të gjallë, mesazhin e madh "të rrugës së vogël" përmes së cilës mund të arrihet te Krishti. E ky mesazh nuk do të vdiste me të.
E motra, Paolina, që e pati nxitur ta shkruante përvojën e saj shpirtërore, vendosi t'i botonte "Fletoret " e Terezës. Fama e Shenjtërisë së Motrës së vogël të Krishtit Fëmijë, të cilën ndër figure e shikojmë me Kryqin në njërën dorë e me një tufë trëndafila në tjetrën, u përhap me shpjetësi. Pati premtuar të reshte një shi trëndafilash mbi njerëzimin: reshi hire, me aromë edhe më të mirë se ajo e luleve. Më 19 tetor 1997, Papa Gjon Pali II, duke vlerësuar lart doktrinën e saj shpirtërore, i dha titullin "Dijetare të Kishës Universale": është gruaja e tretë që meriton një nderim të tillë në Kishë, pas Katerinës së Sienës dhe Shën Terezës së Avilës.
Emrin e saj e mori Nëna jonë Terezë: me lumnimin e saj, Kisha universale njeh tri Tereza të mëdha!








All the contents on this site are copyrighted ©.