2013-10-01 14:35:29

IOR publikon për herë të parë Raportin vjetor. Fon Frajberg: vazhdojmë të impenjohemi për transparencën


IOR (Instituti për Veprat Fetare), që njihet si Banka e Vatikanit, publikoi sot, për herë të parë, raportin vjetor për vitin 2012. Në rreth 100 faqet, që mund të konsultohen në internet, vihet në dukje se gjatë vitit të kaluar, IOR-i ka pasur një fitim prej 86,6 milion eurosh, duke kontribuar kështu në buxhetin e Selisë së Shenjtë me 54,7 milion euro. Natyrisht, bilanci i Institutit bëhet çdo vit, prandaj nuk përbën risi në vetvete. E reja qëndron në faktin se ai është bërë publik për herë të parë, në vazhdën e impenjimit të Selisë së Shenjtë për transparencën e veprimtarive, që kryen IOR-i. Në mikrofonin tonë, presidenti i Institutit, Ernst Fon Frajberg:
Paraqitëm Raportin e parë vjetor në 125 vjetët e historisë së IOR-it. Ai përmban një përshkrim për punën tonë, një përmbledhje të vitit 2012 e të tetë muajve të parë të vitit 2013, deklaratat e Mbikqyrësve, të Komisionit të kardinajve dhe të prelatit të Institutit. Gjithashtu, përmban edhe 60 faqe me deklarime financiare të detajuara, si edhe verifikimet e plota të KPMG-së (Shoqëri çertifikimi ndërkombëtar). Nga Raporti shihet qartë një institucion financiar, i administruar në mënyrë konservatore, që i mbron aksionet, investon me shumë kujdes në obligacione shtetërore, ose në depozita bankare.
Raporti, siç e thatë edhe ju, nuk është ndonjë gjë e re, por publikimi i tij është risi. Kjo bën pjesë në politikën e transparencës, që keni ndërmarrë prej kohësh, apo jo?
Ai është elementi kyç. Që nga marsi, po vemë në jetë një strategji të bazuar në tri shtylla. Njëra është dialogu me mediat, duke i informuar sistematikisht për faktet. Tani, kemi edhe një zyrë shtypi për IOR-in. Elementi i dytë është krijimi i një faqeje interneti, e cila, të shërbejë si burim i sigurtë i lajmeve për Institutin. Elementi i tretë është pikërisht, publikimi i raportit vjetor. Me të, i drejtohemi së pari Kishës. Ka rreth një miliard katolikë në botë, që kanë të drejtë të dinë se ç’bën kjo pjesë e Selisë së Shenjtë. Kanë të drejtë edhe të kuptojnë si kontribuojmë për të mirën e Kishës në botë. Pastaj, u drejtohemi partnerëve, pra, bankave korresponduese, të cilat kanë besim në qëndrueshmërinë tonë. Grupi i tretë përbëhet nga media, analistë financiarë e publiku, në përgjithësi.
Ju po merreni tani me kontrollin e llogarive të depozituara në IOR. Si po shkon kjo punë?
Po shkon mirë. Që nga maji, kemi impenjuar për këtë një shoqëri amerikane, që quhet “Promontory-Group”. Ajo po kontrollon çdo llogari e po bën hetime të veçanta për secilin. Së bashku me amerikanët, kemi shqyrtuar procedurat e pranimit të klientëve dhe trajtimin e tyre, në mënyrë që në Institutin tonë, të mos ketë spastrime parash. 20-25 vetë të “Promontory-Group” bëjnë këtë punë përditë. Hapi tjetër i rëndësishëm do të jetë përmirësimi i produkteve dhe i shërbimeve për klientin.








All the contents on this site are copyrighted ©.