2013-09-30 17:10:19

Të varfrit, paqja, dashuria, krijimi. Kjo është lidhja e Papës me Assisi-n, thotë Atë Lombardi


Duke folur për udhëtimin e Papa Françeskut në Assisi më 4 tetor, Atë Federico Lombardi tha se bëhet fjalë për “një vizitë shumë domethënëse nga pikëpamja shpirtërore”. Qindra gazetarë nga mbarë bota pritet të marrin pjesë në këtë ngjarje, që drejtori i sallës së shtypit të Vatikanit e përkufizon “sigurisht shumë të rëndësishme e shumë të dëshiruar që nga fillimi i shërbesës papnore”. Atë Lombardi nënvizon: “Papa ka shpjeguar që në ditët e para të shërbesës papnore se cila ishte domethënia e zgjedhjes së emrit Françesk. Ka folur për të varfrit, për paqen, për kujdesin ndaj dashurisë dhe ndaj krijimit. Këto janë shprehitë padyshim më karakteristike të shpirtit françeskan, që ne të gjithë i kemi kuptuar mirë përmes fjalëve të para të Papës”. Pasi shtjelloi pikat e ndryshme, gjatë intervistës për faqen e internetit sanfrancesco.org, Atë Lombardi iu përgjigj edhe pyetjeve në lidhje me “makinën e komunikimeve të Vatikanit” dhe siguroi se “do të ketë një mbulim të gjerë televiziv”. “Sot imazhi është një mjet themelor për t’i bërë të pranishme ngjarjet dhe nga mediat ndërkombëtare arrijnë shumë kërkesa për akreditim” – deklaroi ai. Pyetjes se si ka ndryshuar komunikimi me ardhjen në Vatikan të Papa Françeskut, Atë Lombardi iu përgjigj: “komunikimi në Vatikan përvetëson dhe pasqyron mesazhin dhe stilin komunikues të Papës, që është një person i drejtpërdrejtë, që përdor një gjuhë të thjeshtë, me shumë gjeste e veprime të vogla. Një gjuhë komunikuese që kërkon kontaktin fizik me njerëzit që vuajnë dhe me të vegjlit. Të gjitha këto gjeste i shohim vijimësisht gjatë udiencave që bën. Ato janë të thjeshta dhe konkrete në komunikim dhe shoqërohen me dëshminë.” Një gazetari që flet për “një komunikim spontan”, i përgjigjet duke sjellë ndër mend se “Papa është një person që jeton në mënyrë spontane atë që thotë, e me të njëjtin spontanitet jeton mesazhin e mbarsur me dashurinë e Hyjit, që dëshiron të na komunikojë”. Dhe shton: “Komunikimi bëhet i drejtpërdrejtë, në mënyrë që ta kapim menjëherë atë mesazh”.








All the contents on this site are copyrighted ©.