Raporti i KiE për zgjedhjet: Procesi i votmit, i mirë ose shumë i mirë në 94% të qendrave
Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës miratoi sot me konsensus raportin për
zgjedhjet e 23 qershorit në Shqipëri. Në debat ishte e pranishme Kryetarja e Delegacionit
të Parlamentit Valentina Leskaj e cila deklaroi se fitorja e thellë është përgjegjshmëri
për të përmbushur pritshmëritë e publikut dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në raportin
e Këshillit të Europës për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit thuhet ndër të tjera
se këto zgjedhje ishin kompetitive, me pjesëmarrje aktive të qytetarëve përgjatë gjithë
fushatës dhe në respekt të lirive themelore. Sidoqoftë sipas këtij raporti, u vu re
një atmosferë mosbesimi mes dy partive politike duke njollosur mjedisin elektoral
dhe duke sfiduar administrimin e tërë procesit zgjedhor. Raporti adreson kritika për
KQZ-në në lidhje me median.“Më 3 qershor KQZ, miratoi një vendim kundërthënës që detyronte
mediat elektronike, të transmetonin materiale të përgatitura nga subjektet politike,
në studiot e tyre, pa ndërhyrje nga stafet editoriale të vetë mediave. Ky vendim nuk
ishte ne përputhje me standardet e Këshillit të Europës dhe OSBE-së, duke kufizuar
lirinë editoriale dhe të drejtën e shikuesve për raportim të pavarur. Institucioni
i Avokatit te Popullit kërkoi tërheqjen e këtij vendimi” – thuhet në Raport. Këshilli
i Europës vëren se në ditën e zgjedhjeve pati raste të izoluara dhune, një prej të
cilave përfundoi tragjikisht me një të vdekur dhe 2 të plagosur, njëri prej të cilëve
ishte kandidat për deputet. Sipas raportuesve të Këshillit të Europës, procesi i votimit
cilësohet si i mirë ose shumë i mirë, në 94% të qendrave të votimit dhe i keq vetëm
në 6% të tyre, megjithatë në 14% të qendrave u vërejt votim familjar dhe në 12 qendra
votim i shumëfishtë. Një tjetër shkelje që vihet re në raport është fenomeni i blerjes
se votës, që sipas Këshillit të Europës është vënë re tek komuniteti rom dhe tek komunitete
të varfra në zonat rurale të Shqipërisë. Raporti thekson, se përdorimi i institucioneve
shtetërore për interesat e partive, kombinuar kjo me zëra te besueshëm për blerje
te votës apo presion mbi punonjësit e administratës publike, ndikuan negativisht mbi
klimën parazgjedhore dhe këto fenomene, duhen shmangur në të ardhmen. Një tjetër
kritike e Këshillit të Europës ka të bëjë me financimin e fushatës, pasi këto zgjedhje
nuk prodhuan dot transparence të mjaftueshme mbi këtë çështje. Sipas Këshillit të
Europës, përgjatë fushatës elektorale ishte e vështire të dalloje kufirin midis institucioneve
shtetërore dhe interesit të partive politike, pasi PS dhe PD, përdoren ne fushate
mjetet publike dhe ndërtesa publike për qëllime elektorale. Për më tepër, citon raporti,
edhe faqja zyrtare e kryeministrisë përmbante takimet e tij elektorale. “KQZ duhet
të jete një trupë e pavarur dhe duhet të perceptohet si e tillë, për të fituar autoritetin
mbi administrimin e zgjedhjeve dhe besimin e qytetarëve.”- thuhet në raportin e Këshillit
të Europës.