2013-09-30 17:57:03

Për herë të parë në Shqipëri dita Ndërkombëtare e Përkthimit


Dita Ndërkombëtare e Përkthimit zhvillohet për herë të parë në Shqipëri dhe promovon moton e një kalendari veprimtarish gjithëvjetore. Disa prej tyre janë: ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro në orën 10.00 do të jetë prezente në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja “Asim Vokshi”, ku do të zhvillojë një bashkëbisedim me nxënës të kësaj shkolle për rëndësinë e përkthimit si art krijimi, por dhe për cilësinë e prurjeve në shqip të veprave letrare botërore, që kërkojnë në mënyrë urgjente përgatitjen dhe kualifikimin e një brezi të ri të përkthyesve, që sot janë në fillimet e tyre në bankat e shkollës. Më pas në bashkëpunim me POETEKA-n do të realizohet një takim me përkthyes, miq të letrave dhe dashamirës të letërsisë. Gjithashtu do të përkujtohet në 100-vjetorin e lindjes, mjeshtri i përkthimit Vedat Kokona, një kolos i papërtuar në punëtorinë e përkthimit. Disa nga përkthimet e Kokonës janë: “Ana Karenina”, “Saga e Forsajtëve”, “David Koperfildin” etj. Për herë të parë do të prezantohen dorëshkrime origjinale të përkthyesit, letërkëmbimi me piktorin Sadik Kaceli dhe letra të punës së tij të përditshme. Si çdo vit, këto veprimtari zhvillohen nën emrin e Shën Jeronimit, shenjtit mbrojtës të përkthyesve, si një akt nderimi ndaj përkthyesve, kontributit të tyre në komunikimin ndërkulturor, si dhe promovon emrat e rinj në zejen e përkthimit, si një art krijues. Përmes kësaj mbrëmjeje edhe Tirana i bashkohet gjerdanit të veprimtarive që organizohen në të gjitha qendrat e kulturës botërore, në ditën kushtuar përkthyesve dhe përkthimit. Ky aktivitet do të zhvillohet në Tirana Backpacker Hostel. Në orën 19.00, në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë finalizohet konkursi i pikturës së Artit Bashkëkohorë “Live art”. Ky konkurs ka për qëllim inkurajimin e artistëve shqiptarë nga mosha 18 deri në 35 vjeç. Kjo është një mundësi unike që u hap dyert 25 finalistëve të ekspozojnë punët e tyre në 5 ekspozitat e planifikuara në 5 qytete të ndryshme në të gjithë Shqipërinë. Veprat do të vlerësohen nga një juri profesionale e drejtuar nga artisti shqiptar Artan Shabani, i ftuari special, Giancarlo Politi, një nga emrat e kritikës së artit bashkëkohor Italian, por dhe me famë ndërkombëtare, i njohur si themeluesi dhe botuesi i Revistës “Flash Art International”, si dhe profesori i Filozofisë, Elvis Hoxha.
(shekulli)








All the contents on this site are copyrighted ©.