2013-09-29 14:36:58

Të lutemi që Zoti të na japë hirin për të mos ikur nga Kryqi: kështu, Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës


Të lutemi që Zoti të na japë hirin për të mos ikur nga Kryqi: kështu tha Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Homelia u bazua në Ungjillin e ditës, në të cilin Jezusi u kumton dishepujve të vet Mundimet e ardhshme. Fjalët e Jezusit, nënvizoi Papa, i shtangin dishepujt, që mendonin se Biri i Zotit ishte i destinuar për triumf, prandaj nuk e kuptonin, por kishin frikë edhe ta pyesnin, kishin frikë nga e vërteta:RealAudioMP3
“Kishin frikë nga Kryqi, kishin frikë nga Kryqi… Por jo vetëm dishepujt, jo vetëm Pjetri, por edhe vetë Jezusi kishte frikë nga Kryqi! Ai nuk mund ta gënjente veten, Ai e dinte. Kaq shumë kishte frikë Jezusi, sa mbrëmjen e së enjtes derdhi djersë gjaku… ‘O Atë hiqe prej meje këtë Kelk. Por, u bëftë vullnesa jote!’ Ky ishte ndryshimi me të tjerët”.
Edhe kur ungjillëzojmë, sot, Kryqi na shkakton frikë, por, nënvizoi Papa, ekziston rregulla, sipas së cilës dishepulli nuk është më i madh se Mësuesi. Ekziston rregulla, që thotë se s’ka shëlbim, pa djersë gjaku, nuk ka vepër apostolike të frytshme pa Kryqin:
“Ndoshta ne, secili prej nesh, mendon: ‘Po mua, ç’do të më ndodhë? Si do të jetë Kryqi im?’. Nuk e dimë. Nuk e dimë, por do të vijë! Duhet të lutemi për hirin që të mos ikim nga Kryqi, kur të vijë: me frikë eh! Është e vërtetë! Kemi frikë, si jo. Por ndjekja e Jezusit përfundon aty. Më vijnë ndërmend fjalët e fundit të Jezusit për Pjetrin, në atë lloj kurorëzimi papnor, që ndodhi në Tiberiadë: ‘A më do? Kullote grigjën time!’… Por fjalët e fundit ishin: ‘Do të të çojnë aty ku ti nuk do që të shkosh!’ Ky është premtimi i Kryqit”.
Papa e përfundoi homelinë, me lutjen për Zojën e Bekuar:
“Krejt afër Jezusit, në Kryq, ishte nëna e Tij. Ndoshta sot, duke iu lutur, do të ishte mirë t’i kërkonim hirin që të mos na e heqë frikën – ajo do të vijë… frika nga Kryqi… - por të na ndihmojë të mos ikim nga Kryqi. Ajo ishte aty dhe e di si duhet qëndruar pranë Kryqit”.








All the contents on this site are copyrighted ©.