2013-09-27 17:50:54

“Të rinisemi nga Krishti”: kështu u tha Papa Françesku katekistëve nga e gjithë bota


Sot pasdite, në orën 17.00, në Sallën Pali VI në Vatikan, Papa Françesku u takua me katekistët nga e gjithë bota, pjesëmarrës të Kongresit ndërkombëtar të katekistëve, me temë “Katekisti, dëshmitar i fesë”. Në këtë kongres merr pjesë edhe një delegacion nga Shqipëria, me në krye ipeshkvin e Sapës, imzot Lucian Avgustinin.
“Katekizmi – u tha atyre Papa – është një nga shtyllat e edukimit të fesë e për këtë duhen katekistë të mirë”. Sipas Atit të Shenjtë, detyra e çdo katekisti është t’i ndihmojë fëmijët e të rinjtë, por edhe të rriturit, ta njohin e ta duan gjithnjë e më tepër Zotin. “Kjo është një nga aventurat edukative më të bukura – nënvizoi Papa Bergolio – kështu ndërtohet Kisha!”. Të jesh katekist, do të thotë të kesh shumë dashuri për Krishtin e për Popullin e Zotit, do të thotë rë rinisesh nga Krishti, sepse vetëm Biri i Hyjit ka kaq shumë dashuri për të gjithë. E si gjithnjë, Papa e shtjelloi mendimin e vet, duke e ndarë këtë “rinisje nga Krishti” në tri udhë jete. Së pari, çdo katekist duhet të ketë familjaritet me Jezusin:
“Kjo të ngroh zemrën, mban ndezur zjarrin e miqësisë, të bën ta ndjesh se Ai të shikon vërtet, të qëndron afër e të do shumë. E kuptoj se për ju nuk është kaq e thjeshtë: sidomos për ata, që janë të martuar e me fëmijë, është e vështirë të gjesh një kohë të gjatë qetësie. Por, falë Zotit, nuk është e nevojshme të sillemi të gjithë njëlloj; në Kishë ka varietet thirrjesh e formash shpirtërore; e rëndësishme është të gjejmë mënyrën për të ndenjur me Zotin”.
Të rinisesh nga Krishti, tha Papa Françesku, do të thotë ta imitosh e të dalësh nga vetvetja për të shkuar drejt tjetrit. Kush vendos Krishtin në qendër të jetës së vet, nënvizoi më tej, decentralizohet, pasi Ai të nxit të dalësh nga vetvetja, të jetosh për të tjerët:
“Zemra e katekistit përjeton gjithmonë këtë rrahje ‘sistolë-diastolë’: bashkim me Jezusin – takim me të tjerët. Sistolë-diastolë. Nëse mungon njëra nga këto dy lëvizje zemra nuk rreh më, nuk jeton… Dashuria të tërheq e të lëshon, të merr e të dhuron. Në këtë tension, rreh zemra e të krishterit, veçanërisht, zemra e katekistit”.
Elementi i tretë, që vuri në dukje Ati i Shenjtë, është ndjekja e gjurmëve të Krishtit edhe në periferitë ekzistenciale të botës e të shpirtit. Ashtu si Jona profet, që jetonte i qetë, brenda skemave të veta të ngurta, por kur Zoti i thotë të predikojë në Ninive trembet e ikën, edhe katekistët, tha Papa Françesku, duhet t’i braktistin skemat e tyre mendore për të ndjekur Zotin e Fjalën e Tij. Për t’i qëndruar besnikë Hyjit, për të qenë krijues në mënyrën e mësimdhënies së fesë, duhet të jeni gati për të ndryshuar, theksoi Papa argjentinas:
“Për të ndenjur me Zotin duhet ditur si të dilni, të mos keni frikë për të dalë nga vetvetja. Nëse një katekist e lë veten në dorë të frikës, është burracak; nëse katekisti rri i qetë, pa lëvizur, përfundon si të ishte shtatore muzeu; nëse katekisti është i ngurtë vyshket e bëhet shterp. Ju pyes: ndokush prej jush dëshiron të jetë frikacak, shtatore muzeu, ose shterp?”
Mos kini frikë, u tha sërish katekistëve Papa Françesku. Jezusi nuk ju dërgon kuturu, por thotë: “Shkoni, Unë jam me ju!” Madje, Zoti na paraprin, pasi kur mendojmë se po shkojmë në një periferi të largët, vërejmë se Ai është aty para nesh; na pret në zemrën e vëllezërve, që gjejmë atje, në jetën e tyre, në shpirtin e atyre, që nuk arrijnë ta ndjejnë fenë. Ai na prin gjithmonë, përfundoi Ati i Shenjtë, duke i ftuar të gjithë ta imitojnë Jezusin, duke marrë guximin të dalin në rrugë të reja për të kumtuar Ungjillin.
Nesër, katekistët do të shkojnë për shtegtim në Varrin e Shën Pjetrit, në një ditë, të karakterizuar nga rrëfime e meshë në shumë kisha të Romës, në disa gjuhë të botës, ndërsa të dielën do të marrin pjesë në meshën e kremtuar nga Papa Françesku në Vatikan.







All the contents on this site are copyrighted ©.