2013-09-27 16:02:18

Papa në meshën e mëngjesit: i krishteri nuk i shmanget Kryqit, por duron poshtërimet


Për të kuptuar a jemi të krishterë, duhet të kalojmë provën e poshtërimit. Papa Françesku ka theksuar këtë aspekt të jetës së fesë në homelinë e meshës që ka kremtuar në mëngjesin e sotëm në shtëpinë Shën Marta. Papa ka kërkuar edhe një herë të ruhemi nga tundimi i mirëqenies shpirtërore, që e pengon njeriun për ta dashur Krishtin me krejt vetveten.RealAudioMP3
Rreziku i vaktësisë, rreziku nga një fe që bën shumë llogari e i mat mirë hapat, është gjithmonë pas dere. Papa Françesku e vë në dukje këtë rrezik me arsyetimin e vet të përhershëm, që nuk i lë vend shfajësimit. Pikënisja është Ungjilli sipas Lukës, në pjesën ku Jezusi pyet fillimisht dishepujt se çfarë thonë njerëzit për të, e pastaj çfarë thonë ata vetë, deri sa arrin tek pohimi i Pjetrit; “Ti je Krishti i Hyjit”. Kjo pyetje na drejtohet edhe neve, thotë Papa, që fill pastaj rendit një sërë përgjigjesh, që zbulojnë thelbin e një feje të pjekur përgjysmë: “Kush jam unë për ty? Pronari i kësaj firme? Një profet i mirë? Një mësues i mirë? Dikush që të kënaq zemrën?” – megjithëse kjo është “krejtësisht e vërtetë”. Apo Krishti është ai që “ecën me ty në jetë; që të ndihmon të përparosh, të jesh sadopak i mirë?”. Po, ashtu është, por nuk përfundon këtu:
“Zemrën e Pjetrit e ka prekur Shpirti i Shenjtë për të thënë kush është Jezusi. Nëse është Krishti, Biri i Hyjit të gjallë, është një mister, eh? Kush mund ta shpjegojë atë? Por ai e ka thënë. E nëse secili prej nesh, në lutje, duke parë drejt tabernakullit, i thotë Zotit: ‘Ti je Krishti, Biri i Hyjit të gjallë’, së pari nuk mund ta thotë prej vetes, duhet t’ia thotë Shpirti i Shenjtë, që është brenda tij. E, së dyti, bëhu gati, sepse Ai do të përgjigjet: ‘ Është e vërtetë’”.
Pasi Pjetri përgjigjet, Jezusi i kërkon të mos i tregojë askujt dhe më tej lajmëron mundimet e veta, vdekjen dhe ringjalljen. Këtu Papa kujton reagimin e kreut të apostujve, siç përshkruhet në Ungjillin sipas Mateut, që thotë: “Kjo nuk do të të ndodhë kurrë!”. “Pjetri, - komenton Papa – trembet, shkandullohet”. Pikërisht siç thonë shumë të krishterë: “Kështu ka për të të ndodhur! Unë të vij pas deri në këtë pikë”. Kjo është një mënyrë për ta njohur Jezusin deri në një farë pike, - thotë Papa.
“Ky është tundimi i mirëqenies shpirtërore. Kemi gjithçka: kemi Kishën, Jezu Krishtin, Sakramentet, Zojën, gjithçka, një punë të mirë për Mbretërinë e Hyjit; jemi të mirë, të gjithë. Të paktën kështu duhet të mendojmë, se po menduam ndryshe, është mëkat. Por nuk mjafton. Me mirëqenien shpirtërore deri në një farë pike. Si ai djaloshi i pasur: donte të shkonte me Jezusin, por deri në një farë pike. Mungon kjo vajosje e fundit e të krishterit, për të qenë me të vërtetë i krishterë: vajosja e kryqit, vajosja e poshtërimit. Ai u përvujtërua deri në vdekje, vdekje e plotë. Ky është metri për t’u matur, provimi i realitetit tonë të krishterë: a jam i krishterë kulturor e me mirëqenie? A jam një i krishterë që e shoqëron Zotin deri në kryq? Shenja është aftësia për të duruar poshtërimet”.
Megjithatë, shkandulli i kryqit vijon të pengojë shumë të krishterë. Të gjithë – saktëson Papa – duan të ringjallen, por jo të gjithë kanë ndër mend ta arrijnë këtë duke kaluar udhës së kryqit. Përkundrazi, ankohen për padrejtësitë dhe fyerjet që pësojnë, duke bërë të kundërtën e asaj që ka bërë Jezusi, i cili kërkon ta imitojmë:
“Vërtetimi nëse një i krishterë është vërtet i krishterë është aftësia e tij për të mbartur me gëzim e durim poshtërimet dhe, meqë kjo është një gjë që nuk pëlqehet… Ka shumë të krishterë që, duke parë Zotin, kërkojnë poshtërime për t’i ngjarë më shumë atij. Kjo është zgjedhja: ose i krishterë me mirëqenie – qe do të shkosh në qiell, sigurisht do të shëlbohesh! – ose i krishterë afër Jezusit, udhës së Jezusit”.







All the contents on this site are copyrighted ©.