2013-09-25 13:06:06

Tërmet i fuqishëm në Pakistan: mëse 250 të vdekur në Balukistan


Nuk mjaftuan atentatet kundër të krishterëve, që shkaktuan 82 viktima në Peshauar, po edhe tërmeti po bën të vdekur të tjerë në Pakistan. Në zonën e Balukistanit, një tërmet prej 7.7 gradësh të shkallës Rihter ka sjellë, bashkë me dëmet e mëdha, edhe mëse 200 viktima. Balukistani është provinca më e varfër dhe më e prapambetur e Pakistanit, gjë që i rrit më tepër përmasat e tragjedisë. Skuadrat e ndihmës së shpejtë janë në punë për të gjetur trupat e mbetur nën rrënoja e për të çuar në spital të plagosurit rëndë. Shumë persona janë çuar me helikopter në Karaçi.
Epiqendra e tërmetit ndodhet në zonën e Auaranit, ku shtëpitë me qerpiç janë shembur krejtësisht. Në atë zonë, banojnë rreth 60 mijë vetë, të shpërndarë në shumë fshatra, që lidhen me njëri-tjetrin me rrugë të këqia. Tërmeti ka shkaktuar edhe krijimin e një ishulli shkëmbor rreth 30 metra para portit të Guadarit në Detin Arabik. Sipas ekspertëve, ky është fenomen shumë i rrallë, që tregon se po lëviz një shtresë sizmike e rëndësishme, e cila përshkon, nën tokë, krejt Balukistanin.







All the contents on this site are copyrighted ©.