2013-09-25 15:18:36

Kremtimet për 1700 vjetorin e Ediktit të Kostandinit. Intervistat me Imz. Hocevar e Marko Nikolic


Dialogu ndërmjet Kishave Lindore e Perëndimore përbën një kusht të domosdoshëm për procesin e pajtimit mes popujve të ish Jugosllavisë e të Ballkanit. Për këtë është i bindur Imz. Hocevar, arqipeshkëv metropolit i Beogradit. Në përfundim të kremitmeve të bëra në Nish, në Serbinë jugore, me rastin e 1700 vjetorit të Ediktit të Kostandinit, Imzot Hocevar bisedon për zhvillimet e ardhshme ekumenike në Serbi pas vizitës së kardinalit Angelo Scola, i dërguari i posaçëm i Papës atje. Ja çfarë thot, n mikrofonin e Radio Vatikanit:

Zbatimi i Ediktit të Milanos ka qenë shumë i rëndësishëm, sidomos zbatimi i tij në rrethanat tona, ku del si gjë shumë e rëndësishme shtysa për pajtim dhe dëshira e ripërtërirë për bashkim mes të krishterëve. Ja pse kemi organizuar kremtimin përmbyllës me këtë prirje: të rinjtë duhet të jenë mbartësit e këtij shestimi.

Sipas Jush, Europa, pra afrimi me Europën, sa mund ta përforcojë bashkimin mes të krishterëve në vendet ballkanike?

Sa më e bashkuar të jetë Europa, sa më e pjekur të jetë politika e Europës dhe, mbi të gjitha, sa më i fortë e i thellë të jetë Krishtërimi në Europë, aq më shumë do të marrë hov edhe bashkimi mes të krishterëve. Nuk mund të harrojmë se vetëm kur këto dy përmasa bashkëpunojnë, përmasa politiko-sociale me atë fetare e morale, përforcohet edhe më shumë bashkimi i të krishterëve. Bashkimi i të krishterëve është “hiri” më i lartë, më i çmuar dhe, për të arritur bashkimin, duhet të piqet “përplotësia e jetës”: nuk mund të jemi të bashkuar vetëm në një plan, por duhet të jemi të bashkuar tërësisht. Ja pse është shumë e rëndësishme që Europa të rritet e të ketë një hapje të re kundrejt Lindjes dhe që Lindja të rritet në identitetin e vet.

Tema e ekumenizmit dhe e bashkimit ndërmjet Kishave motra të Lindjes e Perëndimit është shumë e pranishme edhe në bashkësinë serbo-ordodokse, si kryeudhë për ripërhapjen e vlerave të krishtera në shoqëritë ballkanike dhe në optikën europiane. Kështu shpjegon doktor Marko Nikolic, punonjës kërkimor pranë Institutit të Politikës dhe Ekonomisë Ndërkombëtare të Beogradit dhe autor i një libri mbi ekumenizmin në Serbi:

Koncepti i fenomenit të ekumenizmit është shumë i rëndësishëm për shoqërinë serbe, qoftë në nivelin teorik, qoftë në nivelin pratik, sepse ky koncept mbështet fenomenin e dialogut si vlerë. Ekumenizmi është shumë i rëndësishëm edhe për procesin e integrimit të Serbisë në bashkësinë europiane, në Bashkimin Europian.

Ekumenizmi dhe bashkimi i të krishterëve a janë kushtet paraprake, sipas Jush, për të mbërritur tek dialogu ndërfetar, apo është e nevojshme të përparojnë njëkohësisht?

Varet për cilin nivel flasim. Sipas meje është më e rëndësishme që para së gjithash të përmirësojmë dialogun ndërkristian e pastaj të “mësojmë” edhe dialogun ndërfetar.

Pse i jepet kaq rëndësi ekumenizmit për përforcimin e demokracisë e për një zhvillim më të madh edhe të institucioneve shekullare të vendit?

Sepse vlerat e krishtera janë themeli i çdo dialogu. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme të përkrahen këto vlera të krishtera edhe në shoqëri – në rrafshin ekonomik e politik – që të krijohen kushtet për një proces integrues, por edhe për synime ungjillizuese.









All the contents on this site are copyrighted ©.