2013-09-24 14:21:15

Papa: Sakramenti nuk është rit magjik, është takim me Jezusin që na pret


Jezusi na pret gjithmonë, kjo është përvuajtëria e Zotit. Kështu pohoi Papa Françesku sot paradite në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Papa u nis nga Psalmi “Të shkojmë me gëzim në shtëpinë e Hyjit”, për të nënvizuar se Sakramenti nuk është rit magjik, por takim me Jezusin, që na shoqëron në jetë:
“E si në çastet e vështira, ashtu edhe në çastet e bukura, ka diçka që nuk ndryshon: Zoti është aty, kurrë nuk e braktis Popullin e Vet! Sepse Zoti, ditën e mëkatit, të mëkatit të parë, mori një vendim, zgjodhi ta bëjë historinë me Popullin e Vet. E Hyji, që nuk ka histori, sepse është i amshuar, deshi ta bëjë historinë e të ecë pranë Popullit të Vet. Por ka edhe më: u bë njëri prej nesh, si ne, eci bashkë me ne, në Jezusin. E kjo na flet për përvuajtërinë e Zotit”.
Madhështia e Hyjit është pikërisht përvuajtëria e Tij, vazhdoi Papa. Kur populli u largua prejt Tij për në udhën e mëkatit, Zoti ishte aty dhe e priste. Edhe Jezusi erdhi për të ecur me Popullin e Zotit, me mëkatarët, me kryelartët, për t’i ndihmuar zemrat e tyre të shërohen e të kthehen:
“Përvuajtëri. Zoti na pret gjithmonë. Zoti është krah nesh, ecën me ne, është i përvuajtur: na pret gjithmonë. Jezusi na pret gjithmonë. Kjo është përvuajtëria e Zotit. E Kisha i thur lavde me gëzim kësaj përvuajtërie të Hyjit, që na shoqëron, siç themi në Psalm. ‘Do të shkojmë me gëzim në Shtëpinë e Zotit’: shkojmë me gëzim, sepse Ai na shoqëron, Ai është me ne. Zoti Jezus shoqëron edhe jetën e secilit: me Sakramentet. Sakramenti nuk është rit magjik: është takimi me Jezu Krishtin, takohemi me Zotin. Ai është pranë nesh e na shoqëron”.
Zoti – Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë – janë shokë udhe në historinë e njerëzimit, shtoi Papa Françesku. Shpirti i Shenjtë na dikon në zemër gjithçka duhet të dimë, na bën ta ndjejmë se udha me Hyjin është e bukur dhe e drejtë:
“E nëse Zoti hyn në historinë tonë, të hyjmë pak edhe ne në historinë e Tij, ose, së paku, t’i lutemi për hirin që ta lejojmë ta shkruajë Ai historinë tonë. Kështu është më e sigurtë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.