2013-09-23 17:53:46

Papa lutet për Pakistanin. Dy kamikazë vrasin 85 veta në një kishë në Peshavar


Para se të largohej nga Sardenja Papa bëri një thirrje të fuqishme për paqen dhe drejtoi një ftesë për t’u lutur për viktimat e atentatit që ka goditur dje Kishën e të Gjithë Shenjtërve në Peshavar, Pakistan.
“Sot në Pakistan, si rrjedhojë e një zgjedhjeje të gabuar, urrejtjes dhe luftës, është bërë një atentat e kanë vdekur 70 veta. Kjo rrugë nuk shkon, nuk duhet. Vetëm udha e paqes, që ndërton një botë më të mirë. Por nëse nuk e bëni ju, nëse nuk e bëni ju, nuk do ta bëjë dikush tjetër. Ky është problemi e kjo është pyetja që ju lë unë: A jam i gatshëm, a jam e gatshme të nis një rrugë për të ndërtuar një botë më të mirë? Vetëm kaq. E ta lusim Atin tonë për të gjithë këta njerëz që kanë vdekur në këtë atentat në Pakistan.”
Duke përfunduar, Papa ka thënë:
“Zoja na ndihmoftë gjithmonë, që të punojmë për një botë më të mirë, që të ndërmarrim udhën e ndërtimit, udhën e paqes e kurrë udhën e shkatërrimit dhe udhën e luftës.”
Në Kishën e të Gjithë Shenjtërve në Peshavar të Pakistanit, në përfundim të meshës, një atentat kamikaz i dyfishtë ka shkaktuar 85 të vdekur, ndër të cilët shtatë fëmijë, e 145 të lënduar. Qeveria e provincës ka shpallur tri ditë zie.
Sot mijëra të krishterë, myslimanë e anëtarë të shoqërisë civile, në qytete të ndryshme të Pakistanit, kanë zbritur në rrugë e nëpër sheshe në shenjë solidariteti, si edhe për të kërkuar më shumë vëmendje e siguri nga ana e qeverisë.
Edhe autoritetet kombëtare e kanë dënuar me forcë këtë gjakderdhje. Sipas kryeministrit Navaz Sharif terroristët nuk kanë fe. Të sulmosh të pafajshmit, - thotë një komunikatë e tij – do të thotë të dalësh kundër urdhërimeve të Islamit dhe të të gjitha feve.
Paul Bhati, kryetar i pakicave dhe këshilltar i ministrit për Harmoninë, ka folur për “forca të huaja” që qëndrojnë mbas gjakderdhjes dhe i ka kërkuar qeverisë t’u sigurojë pakicave fetare një mbrojtje më të fortë .
Ky, ka thënë Bhuti, “Është sulmi më i dhimbshëm e më brutal që u bëhet të krishterëve në historinë e Pakistanit. Tashmë qeveria e Pakistanit duhet të kuptojë se nuk mund të pritet më: ky është një sulm terrorist e qeveria nuk është e aftë të mbrojë qytetarët. Jam shumë i shqetësuar, sepse në këtë shoqëri nuk ka garanci për mbijetesë, nuk ka siguri. Nëse nuk ka pasur mundësi për të mbrojtur një kishë, që është “zonë e kuqe” – meqë janë përcaktuar disa zona e kjo është vlerësuar si “zonë e kuqe”, ku parashikohej se mund të ndodhte një gjë e tillë – pra, nëse qeveria nuk ka arritur të mbrojë këtë kishë me rrezikshmëri të lartë, do të thotë se nuk kishin qëllime të sinqerta për ta mbrojtur. Pra, qeveria është e paaftë të mbrojë qytetarët e vet.
Duke komentuar faktin se shumë njerëz kanë protestuar në shenjë solidariteti përkundrejt viktimave, Paul Bhuti tha për mikrofonin e Radio Vatikanit: “Kam marrë disa telefonata prej miqve të ndryshëm myslimanë, fetarë. Tani jemi duke përgatitur një procesion të vogël në Islamabad dhe kam marrë disa telefonata që më kanë komunikuar pjesëmarrjen e disa Imamëve të xhamive, të disa ushtarakëve e pensionistëve që janë me ne e protestojnë kundër këtyre fakteve.







All the contents on this site are copyrighted ©.