2013-09-23 17:24:00

Papa Françesku në Sardenjë me më të fundmit: “Jezus na mëso të luftojmë për punën, kundër krizës e zhgënjimit”


Ndoshta parrulla më domethënëse për të përshkuar me ç’ndjenja e pritën dje Papën Françesku sardët, gjatë vizitës në Kaliari, është ajo që valëvitej nga dritarja e një pallati: “Papa Keko, a po ngjitesh të pish një kafe?”. Mëse 400 mijë vetë, me një entuziazëm të jashtëzakonshëm, i dhuruan Atit të Shenjtë duartrokitje e kore, u munduan ta preknin e ta përshëndesnin personalisht, duke kapërcyer edhe parmakët, që rrethonin sheshet, në një përqafim të ngrohtë, që zakonisht gazetat e përshkruajnë vetëm me numra e sasi, me fjalën e zakonshme “një banjë në turmë”.
Gjatë 11 orëve, që qëndroi në Kaliari, në takimet me botën e punës, me atë të kulturës, me të rinjtë e të varfërit, si edhe gjatë meshës, Papa Françesku foli qartë kundër “sistemit ekonomik” që e rrit varfërinë e papunësinë, tha se duhet guxim për të dëgjuar muzikën e të rinjve e se këtë duhet ta bëjnë edhe politikanët, ngriti zërin kundër mënyrës “apokaliptike” të të menduarit, duke kërkuar që kriza ekonomike të shihet jo thjesht si “tragjedi”, por si “mundësi” e re. Një afariste, një bujk e një i papunë i folën Atit të Shenjtë:
“Pasojat më të rënda të mungesës së punës janë në ngarkim të familjes. Shpesh, shpërbërja në gjirin e çiftit dhe vështirësitë në marrëdhëniet me fëmijët janë pasojë e krizës së punës, në të cilën fatkeqësisht, jemi përfshirë të gjithë. Papa Françesku, atë i në të gjithëve! Mos lejo që grigja, e cila të është besuar, të shpërndahet e të shqyhet nga ky ujk i keq, që është mungesa e shpresës, e cila gllabëron vetë jetën tonë. Mos na lër vetëm!”
Pasi dëgjoi punëtorin pa punë, në takimin e parë të udhëtimit të tij apostolik, Papa Françesku, i indinjuar, la fjalimin e përgatitur e foli pa letër për vështirësitë e varfërinë e ishullit italian, për t’i dhënë, jo vetëm popullit të tij, një injeksion “besimi” e “shprese”. Komandon paraja, denoncoi Ati i Shenjtë idhullin e shoqërisë së sotme, e cila u merr njerëzve dinjitetin. Duke kujtuar Jezusin, pranë të atit zdrukthëtar, Papa u lut që të gjithë të kenë punë, për të pasur shpresë:
“O Zot, na mungon puna. Idhujt duan të na vjedhin dinjitetin. Sistemet e padrejta duan të na vjedhin shpresën. O Zot, mos na lër vetëm. Na ndihmo të ndihmojmë njëri-tjetrin, të harrojmë disi egoizmin e të ndjejmë në zemër fjalën “ne”, ne, populli, që dëshiron të ecë përpara. O Zot, Jezus, Ty nuk të mungoi puna, na jep punë edhe ne e na mëso të luftojmë për punën, duke na bekuar të gjithëve”.
Fjalët, por sidomos synimet e Papës Françesku duket se u kuptuan. Rreth 20 mijë vetë në Sheshin “Carlo Felice” të Kaliarit, fillimisht duartrokitën e pastaj s’pipëtinë kur dëgjuan thirrjen e fuqishme të Atit të Shenjtë për punën, për një ekonomi, që jep shpresë dhe energji, për të drejtën që të gjithë të kenë bukën e gojës. Rreth 100 mijë besimtarë të tjerë, përfshirë autoritetet, e pritën Papën në shenjtëroren e Bonarisë, për të dëgjuar ftesën drejtuar përgjegjësve të institucioneve që të impenjohen më shumë për të siguruar respektimin e të drejtave themelore. Në meshë, akti i kushtimit të secilit prej banorëve të qytetit të Kaliarit e të krejt Sardenjës, Zojës së Bonarisë, Nënës së Krishtit, në qendër të homelisë së Papës:
“Të lutem për çdo familje të këtij qyteti e të këtij rajoni… për të rinjtë, për të moshuarit e të sëmurët; për ata, që jetojnë të vetmuar e për ata, që ndodhen në burg; për ata, që kanë uri e për ata, që nuk kanë punë; për ata, që e kanë humbur shpresën e për ata, që nuk kanë fe. Të përgjërohem edhe për qeveritarët e për edukatorët”.
Të varfërit e të burgosurit i takoi pasdite Ati i Shenjtë. Në katedrale, ata dëgjuan denoncimin e fuqishëm të Papës Françesku kundër atyre, që instrumentalizojnë të varfërit e edhe vetë bamirësinë. Kush vepron kështu, nënvizoi Papa, bën mëkat të rëndë e do të ishte mirë të shkojë në shtëpi. Bamirësia, tha Ati i Shenjtë, nuk është asistencializëm e nuk shërben për të qetësuar ndërgjegjen. Dashuria është falas, të tjerat janë biznes:
“A e dini? Nganjëherë gjejmë edhe arrogancën në shërbimin e të varfërve! Jam i sigurtë se e keni vënë re edhe ju: atë arrogancë në shërbimin ndaj atyre, që kanë nevojë për këtë shërbim. Ndokush mburret, e mbush gojën plot me të varfërit; ndokush i instrumentalizon të varfërit për interesa personale ose të grupit të vet. E di, kjo është njerëzore, por nuk shkon! Nuk është e Jezusit, kjo. E them edhe më shumë: ky është mëkat! Është mëkat i rëndë, sepse do të thotë t’i përdorësh nevojtarët, ata që kanë më shumë nevojë, që janë korpi i Krishtit, për t’u dukur. Përdor Jezusin për t’u dukur: e ky është mëkat i rëndë! Më mirë që këta njerëz të rrinë në shtëpi!”.
Akademikët dhe pedagogët, që pasdite e takuan Papën në Fakultetin e Teologjisë të universitetit të jezuitëve, e dëgjuan me vëmendje kur shpjegoi se kriza ekonomike botërore nuk mund të jetë vetëm “tragjedi”, por edhe “mundësi” më shumë, pasi shënon një ndryshim epokal. Papa argjentinas u kërkoi të mos bien në prehrin e zhgënjimit e të mos i lajnë duart nga problemet, si Pilati. E këtu, Ati i Shenjtë vuri theksin në rolin e universiteteve, si vend ku interpretohet realiteti, ku përgatitet kultura e afërsisë me të tjerët, larg izolimit të botës bashkohore, ku studentët mësohen të jenë solidarë. Hapjani udhën rinisë, u tha Papa akademikëve:
“…në politikanët e rinj kam gjetur një mënyrë tjetër për ta menduar politikën. Nuk po them më e mirë, por e ndryshme. Flasin ndryshe, janë në kërkim… muzika e tyre është e ndryshme nga e jona. Të mos kemi frikë! T’i dëgjojmë, të flasim me ta. Ata kanë intuitën: ta dëgjojmë. Është intuita e jetës së të rinjve. … Për kulturën e takimit, duhet të dëgjojmë muzikën e këtyre politikanëve shkencëtarë, mendimtarë të rinj”.
E shtegtimi i Papës Françesku në Kaliari të Sardenjës përfundoi pikërisht në mesin e entuziazmit të të rinjve, kthyer në festë të vërtetë, me këngë folklorike, brohoritje e duartrokitje. Ati i Shenjtë bëri shaka me djemtë e vajzat para tij. U tha se pas 60 vjetësh nga dita, që dëgjoi thirrjen e Zotit për t’u bërë meshtar, ndihet akoma “i fortë” e mos mendoni se jam Tarzani, qeshi Papa. Ose i ftoi të mos i lëshojnë pe Zonjës Ankesë e të kenë besim, sepse i riu pa shpresë plaket shpejt. Papa Bergolio kritikoi të rinjtë që largohen nga Kisha pas marrjes së Sakramentit të Krezmimit – Sakramenti i lamtumirës, e quajti:
“Para këtij realiteti, me të drejtë, ju pyesni: ç’mund të bëjmë? Sigurisht, diçka që s’duhet bërë është ta lëshosh veten në dorën e pesimizmit e të mosbesimit. Të krishterë pesimistë: shumë gjë e keqe. Ju të rinj nuk mundeni e nuk duhet të jeni pa shpresë, shpresa është pjesë e ekzistencës suaj… E kur i riu nuk ka gëzim, kur ndjen mosbesim në jetë, kur humb shpresën, ku e gjen pak qetësi, pak paqe? Pa besim, pa shpresë, pa gëzim? Vijnë këta tregtarë të vdekjes, ata, që shesin mort, e të japin një rrugë për kur jeni të trishtuar, pa shpresë, pa besim, pa guxim! Ju lutem, mos ua shisni rininë këtyre, që mbjellin vdekje! Ju më kuptoni se për çfarë po flas! Të gjithë e kuptoni: mos u shisni!”
Për 11 orë rresht, Papa Françesku u përkul mbi të fundmit e Sardenjës, duke i parë si vëllezër, duke u thënë se askush nuk është më i mirë se të tjerët, se ai është Papa, ati i të gjithëve e jo nëpunës i Kishës. Njerëzit e panë të jepej me mish e me shpirt për të gjithë, në çdo çast, e panë se do të kishte dashur të ndalej me secilin prej tyre, e kuptuan, e deshën, e prandaj i shkruan, duke përdorur një shkurtim përkëdhelës të emrit Françesk: “Papa Keko, eja të pish një kafe”.







All the contents on this site are copyrighted ©.