2013-09-22 13:15:25

Vatikani: të ndalohet prodhimi i armëve bërthamore


Është koha “t’i jepet fund prodhimit të armëve bërthamore”. Lëndët radioaktive duhet të përdoren vetëm për veprimtari paqësore e jo për qëllime ushtarake. Kështu tha Sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet, imzot Dominik Mambertì, në Konferencën e 57-të të përgjithshme të Agjensisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA). Imzot Mambertì solli në sallë përshendetjet e Papës Françesku.
Siguria globale, theksoi prelati në mbledhjen e së martës së kaluar, nuk i duhet besuar armëve bërthamore. Imzot Mambertì u bëri thirrje të gjitha vendeve të nënshkruajnë Traktatin e mospërhapjes së këtyre armëve. Kemi nevojë, tha ai, që të gjithë ta pranojnë pa kushte këtë Traktat. Bashkësia ndërkombëtare, sipas përfaqësuesit të Vatikanit, duhet t’i japë hov të ri procesit të çarmatimit bërthamor, ku duhen parashikuar hapa të mirëpërcaktuara e të kontrollueshme. Çarmatimi dhe mospërhapja e armëve bërthamore, tha në fund imzot Mambertì, janë themelore edhe nga pikpamja humanitare.







All the contents on this site are copyrighted ©.