2013-09-20 14:14:20

Papa Françesku: Fytyra e Krishtit në fëmijët e palindur e në të moshuarit, jeta është e drejta e parë e njeriut


Çdo fëmijë, që abortohet, ka fytyrën e Zotit. Kështu tha sot Papa Françesku, duke pritur në Sallën Klementina në Vatikan, rreth njëqind mjekë të Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave Mjekësore Katolike. Ata janë mbledhur në Romë deri më 22 shtator, për Konferencën X ndërkombëtare me temë “Ungjillëzimi i ri, praktika obstetrike dhe kujdesi për nënën”. Ati i Shenjtë u kërkoi atyre ta mbrojnë jetën, pa u lëkundur, duke luftuar kulturën, që kërkon eliminimin e qenieve njerëzore, sidomos kur janë më të dobta fizikisht, ose shoqërisht:
“Çdo fëmijë i palindur, i dënuar padrejtësisht me abort, ka fytyrën e Jezu Krishtit, ka fytyrën e Zotit, i cili akoma para se të lindë e pastaj, i sapolindur, provon refuzimin e botës. E çdo i moshuar… megjithëse i sëmurë rëndë, apo në ditët e fundit të jetës, mban në vetvete fytyrën e Krishtit. Nuk mund të hidhen, siç propozon kultura e mbeturinave! Nuk mund të hidhen!”
Siç thotë “Deklarata për abortin” e Kongregatës për Doktrinën e Fesë, e drejta e parë e njeriut është e drejta për jetën. Gjërat mund të shiten, por njerëzit kanë dinjitet, theksoi Papa, vlejnë më shumë se sendet e nuk mund të kenë çmim. Për këtë arsye, mbrojtja e jetës është një nga përparësitë e Magjisterit të Kishës Katolike. Në shoqërinë e sotme, reflektoi Ati i Shenjtë me mjekët e pranishëm, janë bërë shumë përparime shkencore në mjekësi, por, paradoksalisht, mjekët e kanë të vështirë të mbeten shërbëtorë të jetës. “Çorientimi kulturor – shtoi Papa – ka prekur edhe një fushë, që dukej e paprekshme: mjekësinë. Megjithëse, për natyrën e tyre, janë në shërbim të jetës, profesionet shëndetësore detyrohen nganjëherë të mos e respektojnë atë”:
“Kjo gjendje paradoksale shihet në faktin se, ndërsa njeriut i jepen të drejta të reja, nganjëherë, edhe me pretendimin e rremë se janë të drejta, jo gjithmonë mbrohet jeta si vlerë parësore dhe e drejtë kryesore e çdo njeriu. Qëllimi i fundëm i veprimtarisë mjekësore mbetet gjithnjë mbrojtja dhe promovimi i jetës”.
Pastaj, Papa Françesku iu drejtua veçanërisht gjinekologëve:
“Dikur, gratë që ndihmonin gjatë lindjes, i quanim ‘si-nëna’, si të ishte një nënë njëlloj si tjetra, si nëna e vërtetë. Edhe ju jeni ‘si-nëna’ e ‘si-baballarë’, edhe ju”.
Por ç’duhet të bëjnë mjekët katolikë në veçanti? Duhet të jenë gati për ta mbrojtur jetën me çdo kusht:
“Ky është impenjim i ungjillëzimit të ri, që shpesh ju kërkon të ecni kundër rrymës, duke paguar personalisht një çmim të lartë. Zoti mbështetet edhe në ju për të përhapur ‘ungjillin e jetës’”.
Prandaj, vazhdoi Ati i Shenjtë, repartet e gjinekologjisë, nëpër spitale, të kthehen në vende të privilegjuara dëshmie e ungjillëzimi, sepse aty ku Kisha bëhet mjet për të dëshmuar praninë e Zotit të gjallë, kontribuon në humanizimin e vërtetë të njeriut e të botës. Kështu, struktura shëndetësore bëhet vend, ku mjekimi i njerëzve nuk është zanat, por mision:
“Nuk ekziston ndonjë jetë njerëzore më e shenjtë se tjetra, ashtu si nuk ekziston ndonjë jetë njerëzore, që ka më tepër kuptim se tjetra, nga pikpamja cilësore. Besueshmëria e sistemit shëndetësor nuk matet vetëm me efikasitetin e tij, por sidomos me kujdesin e dashurinë për njerëzit, jeta e të cilëve është gjithnjë e shenjtë dhe e padhunueshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.