Çelësi i fjalëve të Kishës: Deklarata konciliare “Nostra Aetate”
Në emisionin e sotëm, të dashur dëgjues, do t’ju flasim për Deklaratën e Koncilit
II të Vatikanit “Nostra Aetate”. Në këtë dokument, Kisha Katolike reflekton për
marrëdhëniet e saj me fetë jo të krishtera. Ishte shtatori i vitit 1960, kur Papa
Gjoni XXIII, në audiencën me kardinalin Agostino Bea i besonte Sekretariatit për bashkimin
e të krishterëve, detyrën që të përgatiste një deklaratë për marrëdhëniet e Kishës
Katolike me popullin hebraik. Vetë Ati i Shenjtë, as që e imagjinonte se pas kësaj
dite e pas peripecive të shumta, do të arrihej në deklaratën për qëndrimin e Kishës
ndaj feve jo të krishtera. Në dhjetor 1962, Papa, duke iu përgjigjur një mendimi,
që i pati dërguar me letër Kryetari i Sekretariatit për bashkimin e të krishterëve,
shkruante: “Pasi lexuam me vëmendje raportin e kardinalit Bea, bashkëndajmë plotësisht
me të rëndësinë dhe përgjegjësinë e interesimit tonë” (23 dhjetor 1962). Koncili II
i Vatikanit e miratoi këtë deklaratë me mëse 96% të votave pro. Konsolidimi i paqes
dhe i vëllazërimit ndërmjet gjithë besimtarëve është bazë e qëndrueshme për arritjen
e paqes globale. Për këtë arsye, Deklarata vë në dukje gjithçka e ndihmon dialogun
vëllazëror dhe mirëkuptimin e ndërsjelltë në gjirin e familjes njerëzore. Nuk është
ndonjë studim krahasues i feve të mëdha, por përcakton marrëdhëniet e fesë së krishterë
me fetë e tjera. U prit me simpati të madhe, sidomos nga të krishterët e ndarë nga
Selia Apostolike, duke dëshmuar sa shumë prisnin të krishterët që një zë të ngrihej
për të kumtuar mesazhin e paqes e të vëllazërimit, mesazh i krishterimit për botën. Deklarata
“Nostra Aetate” iu përgjigj kësaj dëshire të zjarrtë, duke shtjelluar pesë tema të
mëdha:
Së pari, theksoi se njerëzit kanë një zanafillë e një fund
të vetëm, të përbashkët. Ata presin nga fetë përgjigje për problemet më të rëndësishme
të jetës, të vdekjes e të fatit të tyre të fundëm.
Së
dyti, dokumenti vuri në dukje se Kisha Katolike i respekton fetë e tjera. Duke i qëndruar
besnike predikimit të Krishtit, ajo i këshillon besimtarët e vet, që përmes dialogut
e bashkëpunimit, të punojnë me ndjekësit e feve të tjera për mbrotjen e vlerave të
përbashkëta.
Së treti, u nënvizua
se Kisha i vlerëson myslimanët, besimi i të cilëve ka pika takimi me traditën hebraiko-kristiane,
dhe i nxit anëtarët e saj t’i lënë pas armiqësitë e kaluara e të promovojnë së bashku
drejtësinë e paqen.
Së katërti, Kisha
Katolike vuri në dukje se fillimet e fesë së saj gjenden në fisin e Abrahamit, kujtoi
se e ka marrë Besëlidhjen e Vjetër nga ai popull, me të cilin Zoti lidhi aleancën
e lashtë, nga ai popull, prej të cilit vijnë Krishti, shën Maria e Apostujt. Megjithëse
pjesa më e madhe e hebrenjve nuk e pranon Ungjillin, ata mbeten, pohon Deklarata konciliare,
të dashur për Zotin e Kisha pret bashkë me ta ditën, në të cilën të gjithë popujt
do të lëvdojnë Hyjin. Duke pasur parasysh lidhjen e veçantë ndërmjet hebrenjve dhe
të krishterëve, Koncili II i Vatikanit këshillon që marrëdhëniet të bazohen në mirëkuptim
e vlerësim të ndërsjelltë. Vdekja e Krishtit, përmed një problem të vjetër Deklarata
“Nostra Aetate”, nuk mund t’u atribuohet të gjithë hebrenjve që jetonin në atë kohë
e as hebrenjve të kohës sonë. Hebrenjtë nuk duhen paraqitur si të pabesë, gati sikur
kjo të dilte nga Shkrimi i Shenjtë. Kisha dënon ashpër çdo shfaqje të antisemitizmit.
Krishti, pohohet në Deklaratë, vdiq për shkak të mëkateve të njerëzve e Kryqi i Tij
duhet predikuar si shenjë dashurie universale.
Së
pesti, nuk zemë më gojë emrin e Tënzot, nëse nuk sillemi si vëllezër me të gjithë
njerëzit. Me Deklaratën “Nostra Atetate”, Kisha Katolike mohoi solemnisht çdo bazë
për teoritë diskriminuese dhe dënoi çdo persekutim, apo ndarje për arsye të racës,
të ngjyrës së lëkurës, të gjendjes shoqërore, ose të fesë dhe i këshilloi të krishterët
të jetojnë në paqe, për të qenë vërtet bijtë e Atit, që është në Qiell.
Deklarata
“Nostra Aetate” u miratua me 2221 vota pro, 88 kundër e 1 votë të pavlefshme, më 28
tetor 1965.