2013-09-19 14:48:46

Papa pret në audiencë ipeshkvijtë e rinj: populli ka nevojë për ju, zbrisni në mesin e njerëzve


Qëndroni gjithnjë në mesin e grigjës, që ju është besuar; mos mendoni për karrierë e dëshmojeni me jetë, atë që u mësoni besimtarëve: janë disa nga këshillat, që u dha sot Papa Françesku pjesëmarrësve të Kuvendit për Ipeshkvijtë e rinj, që përfundoi në Vatikan. Ky është një simpozium formativ dhe informativ për ipeshkvijtë, në praninë e krerëve të dikastereve të Kuries Romake. Këtë vit, në kuvend ishin të pranishëm edhe 26 ipeshvij të rinj të riteve lindore. Ati i Shenjtë u shpjegoi atyre ç’do të thotë të kujdesen përditë për grigjën, që ua ka besuar Hyji i Gjithpushtetshëm. Si zakonisht zgjodhi tri fjalë kyçe. Të kujdesesh për grigjën e besimtarëve, nënvizoi Papa, do të thotë “të presësh me shpirtmadhësi, të ecësh me grigjën e të rrish me grigjën”. Zemra juaj, u tha Papa ipeshkvijve, duke shtjelluar pikën e parë, duhet të jetë aq e madhe, sa të presë të gjithë ata, që ju kërkojnë, por edhe ata, që ju vetë duhet të shkoni e t’i kërkoni:
“Që tani pyeteni veten: ata, që do të trokasin në portën e shtëpisë sime, si do ta gjejnë? Nëse e gjejnë hapur, përmes mirësisë e gatishmërisë suaj, do të provojnë atësinë e Zotit e do të kuptojnë se Kisha është nënë e mirë, që gjithnjë i pret dhe i do”.
Por, kjo nuk mjafton. Ipeshkvi, theksoi Papa Françesku, duhet të ecë së bashku me besimtarët, duke ndarë me ta gëzimet e shpresat, vështirësitë e vuajtjet, si vëlla e mik, por edhe më shumë, si atë i mirë, i aftë t’i dëgjojë, t’i kuptojë, t’i ndihmojë e t’i orientojë. E të parët, që kanë nevojë për ipeshkvin, nënvizoi Ati i Shenjtë, janë meshtarët:
“Ndër detyrat e para, që keni, është kujdesi shpirtëror për meshtarët, por mos harroni edhe nevojat njerëzore të secilit, sidomos në çastet më delikate e më të rëndësishme të shërbimit e të jetës së tyre.Nuk është kurrë kohë e humbur, ajo që kaloni me meshtarët! Pritini kur ju kërkojnë; mos e lini pa përgjigje telefonatën...e një meshtari: nëse s’mundeni sot, së paku përgjigjuni të nesërmen, ose shihni kur mund të takoheni për të qenë gjithnjë afër, në kontakt të vazhdueshëm me ta”.
Papa u tha ipeshkvijve se duhet të jenë të pranishëm në dioqezë, duhet të mbajnë “erën e deleve” të grigjës, siç pati theksuar vetë Ati i Shenjtë, në Meshën e Bagmit, këtë vit. Prania e ipeshkvijve, shtoi, nuk është diçka dytësore, është e domosdoshme. E kërkon populli:
“Ka nevojë për këtë, që të jetojë e të marrë frymë! Mos u mbyllni! Zbrisni në mesin e besimtarëve, edhe në periferitë e dioqezës e në të gjitha ‘periferitë ekzistenciale’, ku ka vuajtje, vetmi, degjenerim njerëzor. Prani baritore do të thotë të ecësh me Popullin e Zotit: para tij, për t’i treguar rrugën; në mesin e tij, për t’i forcuar unitetin; pas tij, si për të mos lënë askënd pas, ashtu edhe, sidomos, për të ndjekur nuhatjen e Popullit të Zotit, që gjen udhë të reja”.
Ipeshkvi i mban veshët hapur për të dëgjuar zërin e besimtarëve të vet, të cilët e kanë për detyrë ta këshillojnë Bariun e tyre. Nëse rrini me popullin, u tha Papa ipeshkvijve të rinj, do të keni mundësi ta njihni me themel kulturën, zakonet, përshpirtërinë e një vendi. E kjo përcakton edhe “stilin” e shërbimit të ipeshkvit për grigjën e Zotit:
“Ne barinjtë nuk jemi njerëz me ‘psikologjinë e princërve’, njerëz ambiciozë, dhëndurë të një Kishe, në pritje të një tjetre, më të bukur, më të rëndësishme, apo më të pasur. Po ky është shkandull… Kini shumë kujdes të mos bini në prehrin e karrierizmit! Është gangrenë ai, eh! Ne jemi mësues dhe edukatorë të popullit tonë, jo vetëm me fjalë, por edhe e sidomos me dëshminë konkrete të jetës. Misioni e jeta janë të pandashme. Pyetja që duhet t’i bëjmë vetes çdo ditë është: mënyra si jetoj, a përkon me ç’u mësoj të tjerëve?”
Elementi i tretë: ipeshkvi duhet të rrijë me grigjën e vet, në kuptimin e plotë të kësaj fjale, pra, të jetë gjithmonë në dioqezë, pa kërkuar ndryshime apo ngritje në detyrë. Vërtet jetojmë në epokën e internetit, vërejti Papa Françesku, por edhe ligji i lashtë i rezidencës nuk është jashtë mode. Prandaj, këshilloi, largohuni nga ipeshkvia vetëm kur kjo është e nevojshme, për një periudhë sa më të shkurtër, që të mundeni:
“Shmangeni shkandullin e mos u bëni ‘ipeshkvij aeroportesh’! Të jeni barinj mikpritës, në udhë me popullin, me dashuri, me mëshirë, me ëmbëlsi në sjellje e me vendosmëri atërore, me përvuajtëri e kujdes, të aftë t’i kuptoni kufizimet tuaja e të keni një dozë të mirë humori. Ky është një hir, që duhet t’i kërkojmë Zotit ne ipeshkvijtë. Të gjithë duhet t’i lutemi për këtë hir: ‘O Zot, më jep sensin e humorit’. Gjeni udhën për të qeshur me vetveten fillimisht, e pastaj me gjërat e tjera. E rrini me grigjën! Rrini me grigjën!”
Në fund, duke përmendur praninë e ipeshkvijve sirianë, Papa Françesku u kërkoi edhe një herë të gjithëve të luten për paqen në Siri, në Lindjen e Mesme e në botë.








All the contents on this site are copyrighted ©.