2013-09-19 14:48:30

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 25-të gjatë vitit “C”


Ja përsëri në takimin javor të së shtunës me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së 25-të gjatë vitit kishtar, ciklit të tretë, sipas kalendarit të liturgjisë kishtare.
Tema kryesore e leximeve biblike të kësaj së diele është: përdorimi i pasurive, përdorimi i parave. Kështu këtë herë përmes Fjalës së Tij Hyjnore, Zoti na thërret e këshillon të pasurohemi para Tij me vepra të mira për të mbledhur e siguruar thesare për në qiell. Zgjedhja preferuese e të varfërit e dënimi i pasurisë, nga ana e Jezusit, tregon synimin e tij të rivendosjes së drejtësisë e të vëllazërimit mes të gjithë njerëzve, ashtu siç parashikonte plani i parë i krijimit.
Toka, që Zoti i ka dhuruar njerëzve për të qenë vend në të cilin të jetohet solidariteti, vëllazërimi është shndërruar nga njerëzit , në një vend pretendimi e luftimi. Pasuria është bërë rast i ndarjeve e trysnive. Jezusi na tregon se cila duhet të jetë marrëdhënia e drejtë me pasuritë – që duhen të jenë gjithmonë një instrument që ndihmo realizimin e të gjithë njerëzve – e të marrëdhënieve me të tjetër dhe me vet Zotin. Secili prej nesh ka prej Zotit një dhuratë, një cilësi që na bënë të aftë të jetojmë duke shprehur atë çka jemi. Dikur në lashtësi, njerëzit ndaheshin në të lirë e në skllevër. Sot preferojmë ti ndajmë në të pasur e të varfër. Ungjilli i Krishti – shumë më thjesht – i ndanë në të mirë e të këqij.
Ungjilli (Lk 16, 1-13)
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u thoshte edhe nxënësve të vet: “Ishte një njeri i pasur, i cili kishte mbarështuesin që e paditën se ia shkapërderdhte pasurinë. E thirri dhe i tha: ‘Ç’po dëgjoj kështu për ty? Jep llogari për mbarështimin tënd, sepse t’i s’mund të jesh më mbarështues.’
Atëherë mbarështuesi tha me vete: ‘Çka të bëj, pasi zotëria po ma heq mbarështimin? Të mih...? Nuk mundem! Të dal e të lyp...? Më vjen turp! E di ç’do të bëj që njerëzit të më pranojnë në shtëpitë e veta kur të nxirrem prej mbarështimit.’
Atëherë thirri një nga një borxhlinjtë e zotërisë së vet. E pyeti të parin: ‘Sa i detyrohesh zotërisë tim?’ Ai iu përgjigj: ‘Një qind masë vaj.’ Mbarështuesi i tha: ‘Merre letrën tënde, ulu me të shpejtë e shkruaj pesëdhjetë!’ Pastaj e pyeti të dytin: ‘Po ti sa detyrohesh?’ Ai i tha: ‘Një qind kora grurë.’ I tha mbarështuesi: ‘Merre letrën tënde e shkruaj tetëdhjetë!’
E zotëria e lëvdoi mbarështuesin e padrejtë, që punoi aq me shkathtësi. Dhe njëmend, bijtë e kësaj bote janë më të kujtueshëm në marrëdhënie me njëri-tjetrin se sa bijtë e dritës. Ndërsa unë po ju them: fitoni për vete miq me anë të pasurisë së rreme të kësaj bote që, kur kjo t’ju mungojë, t’ju pranojnë në banesat e amshuara.
Kush është besnik në gjëra të vogla, është besnik edhe në gjëra të mëdha; e kush nuk është besnik në gjëra të vogla, ai nuk është besnik as në gjëra të mëdha. Po qe se nuk u dëftuat besnikë në pasurinë e rreme, kush do t’jua besojë pasurinë e vërtetë? Po qe se nuk u dëftuat të besueshëm në gjënë e huaj, kush do t’jua japë tuajën?
Asnjë shërbëtor nuk mund t’u shërbejë njëkohësisht dy zotërinjve: Sepse, ose do ta urrejë njërin e tjetrin do ta dojë, ose pas njërit do të shkojë e tjetrin do ta përbuzë. Nuk mund t’i shërbeni Hyjit dhe pasurisë.” Fjala e Zotit!
Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të kësaj së diele mund të dëgjoni këtu....







All the contents on this site are copyrighted ©.