Si sot, 71 vjet më parë, në fshatin me të njëjtin emër që ndodhet rreth 20 kilometra
larg Tiranë u mbajt Konferenca e Pezës, e njohur në historinë e Shqipërisë si kuvendi
i parë pluralist. Pas 71 vjetësh, mbetet vlerësimi për qëllimet dhe rolin historik
të Konferencës së Pezës, e cila i qëndroi historisë. Ajo ishte dhe mbetet një ngjarje
e rëndësishme e historisë për mesazhet që i dha Shqipërisë, në qendër të të cilave
ishin liria dhe demokracia e vendit, bashkimi dhe qëndresa, fitorja dhe prosperiteti. Duhet
thënë se Konferenca e Pezës qe edhe fillimi i shkëputjes së komunistëve, me në krye
Enver Hoxhën, i cili u zgjodh në Këshill, por nuk pati rolin udhëheqës, që do të dëshironte.
Pushtetin duhej ta ndante me të tjerët. Mjafton të përmendim faktin se nga 7 anëtarët
e Këshillit të Përgjithshëm Nacional, që u zgjodh në Pezë, vetëm dy, Enver Hoxha dhe
Myslim Peza, nuk u cilësuan tradhëtarë nga historia komuniste. Protagonistë të
saj ishin përfaqësues të krahinave, besimeve të ndryshme fetare, klasave, shtresave
me bindje politike nga më të ndryshmet. Vendimet e konferencës patën jehonë dhe
ndikuan në organizimin e popullit shqiptar në ngjarjet e Luftës së Dytë Botërore.
Vendimi më i rëndësishëm i Konferencës ishte krijimi i Frontit Antifashist Nacionalçlirimtar,
si një organizatë mbipartiake, ku do të merrnin pjesë të gjithë shqiptarët, pa dallim
feje apo bindje politike. Konferenca diskutoi dhe për çështjen e Kosovës, ku delegatët
vendosën që ajo të zgjidhej në bazë të principit të vetëvendosjes, sikurse e parashikonte
Karta e Atlantikut.