2013-09-16 16:54:44

Papa Françesku takohet me klerin romak: ndiqni shembullin e Nënë Terezës. Meshtari duhet të jetë i mëshirshëm e shenjt


Papa Françesku u takua sot paradite në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, me meshtarët e dioqezës së Romës. Për t’u përgatitur për këtë takim, kardinali vikar Agostino Valini, me kërkesën e Atit të Shenjtë, i shpërndau klerit romak një reflektim, shkruar në vitin 2008 nga kardinali i atëhershëm Bergolio, i cili, si kryeipeshkëv i Buenos Airesit, pati ftuar meshtarët e dioqezës së vet të reflektonin mbi Dokumentin e Aparesidës. Por ç’tha sot Ati i Shenjtë, qe përgjigjja e një letre mbi “lodhjen” e meshtarit, dërguar nga një prift romak:
“Kisha nuk shembet. Kurrë Kisha s’ka qenë më mirë se sot, është një çast i bukur për Kishën, mjafton të lexojmë historinë. Ka shenjtorë, që njihen edhe nga jo katolikët, mjafton të mendojmë për të Lumen Nënë Terezë, por ka edhe një shenjtëri të përditshme të sa e sa burrave e grave e kjo na jep shpresë. Shenjtëria është më e fortë se shkandujt”.
Zgjati dy orë, me dyer të mbyllura, takimi i Papës me klerin e Romës. Ati i Shenjtë e nisi reflektimin pikërisht nga letra e një meshtari, që ndante me të lodhjen. Foli për përvojën e tij në Buenos Aires e nënvizoi nevojën për t’u kthyer, si të thuash, “në dashurinë e parë”, në vështrimin e parë të Jezusit mbi të thirrurin e vet, mbi çdo meshtar. E përsa i përket lodhjes e punës, Papa Françesku theksoi se ajo është pjesë e misionit:
“Kur një prift është në kontakt me popullin e vet, lodhet. Kur një meshtar nuk është në kontakt me grigjën e vet, lodhet, por pa u kënaqur e për të fjetur, i duhet të marrë ilaçe, apo jo? Por kur është në kontakt me popullin – sepse populli ka shumë e shumë kërkesa, por janë kërkesat e Hyjit – atëherë meshtari lodhet vërtet, por nuk janë të nevojshme ilaçet”.
Para kësaj lodhjeje, tha Papa Françesku ka vetëm një përgjigje: ajo e Jezusit. Duhet, shtoi, të shkojmë tek të varfërit, të shpallim Ungjillin e të ecim përpara. Sigurisht, vërejti Ati i Shenjtë, na ndihmojnë lutja para tabernakullit, afërsia e miqësia me meshtarët e tjerë, afërsia e ipeshkvit për çdo prift.
Në pyetjet e përgjigjet e lira me meshtarët, Papa iu kthye temës së tij të dashur, periferive ekzistenciale, duke prekur çështjen e të divorcuarve të rimartuar. Është problem i rëndë, tha Ati i Shenjtë, që nuk mund të reduktohet thjesht në marrjen apo jo të Sakramentit të Kungimit Shenjt. Papa premtoi se do ta diskutojë këtë çështje me kardinajtë e zgjedhur prej tij si këshilltarë, në takimin e tetorit. Gjithashtu, kjo temë do të preket edhe në Sinodin e ardhshëm të ipeshkvijve mbi marrëdhëniet antropologjike ndërmjet Ungjillit dhe njeriut e familjes. Në fund, në një atmosferë shumë të përzemërt, mes shakave e duartrokitjeve, kujtoi se më 21 shtator bie 60-vjetori i thirrjes së tij meshtarake. E Papa, që u tha priftërinjve të Romës, se ndihet meshtar e ipeshkëv, kërkoi që ta kritikojnë publikisht nëse shohin se i jep vetes më tepër rëndësi nga sa duhet. Shembulli, që Ati i Shenjtë u propozoi meshtarëve për t’u ndjekur është meshtari “i mëshirshëm” e jo ai “rigorist”, që e bazon jetën vetëm në norma e në rregulla, e as ai “lasist”, për të cilin çdo gjë lejohet. Një prift i mirë, nënvizoi Papa Françesku, ta thotë në sy të vërtetën, por pastaj të shoqëron në udhën e Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.