Më 13 shtator, kalendari kishtar përkujton Shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor
i Kishës! Shën Gjon Gojartin, ipeshkëv e doktor i Kishës, është këngëtar i mrekullueshëm
i lavdisë së Zotit. I njohur si një nga Etërit e mëdhenj të Kishës së Lindjes, Shën
Gjon Gojarti vdiq më 14 shtator të vitit 407 pas Krishtit, duke lënë pas shkrime,
që ruajnë ende sot forcën me të cilën patën tërhequr dikur dëgjuesit. Prandaj në shekullin
VI qe thirrur Gojartë. Shën Gjon Krizostomi, kryeipeshkëv i Kostandinopojës në vitin
398, ia kushtoi apostullimin e tij nxitjes së besimtarëve për të jetuar ndershmërisht,
duke u përpjekur t’i mundnin ligështitë njerëzore dhe veset. Fliste shpesh për mëkatin,
për të rizgjuar ndjenjën e përgjegjësisë, dëshirën për t’u ngritur përsëri në këmbë
edhe pas rënieve, me forcën që buron nga Sakramentet e Shenjta. Shtyllat e doktrinës
së tij morale janë pendesa, lëmosha e pajtimi. Ajo që të bën për vete në predikimit
e Shën Gjonit, është stili dhe aftësia e rrallë e gojtarit. Predikimet e tij nuk të
lodhin, edhe pse nganjëherë tepër të gjata, sepse janë plot gjallëri, të lidhura ngushte
me jetën konkrete, të pasura me vlera dhe ide të reja të frymëzuara gjithmonë nga
Ungjilli. Papa Gjoni XXIII e zgjodhi Pajtor të Koncilit II të Vatikanit. Gjon
Pali II, në enciklikën “Sollecitudo rei socialis” kujtoi atë që ka shkruar shën Gjon
Gojarti, duke komentuar Ungjillin sipas Mateut për salltanetet e vendeve të kultit:
“Kur mendon për të varfërit, nuk mund të të kënaqin zbukurimet e tepërta të Kishave
dhe orenditë e çmuara të kultit hyjnor; përkundrazi, këto pasuri mund të shiteshin
për t’u dhënë bukë, ujë, veshje e strehë atyre që nuk i kanë”. Po cili është
kontributi i posaçëm teologjik i Gjon Gojartit? Teoria e pranimit, sipas së
cilës Hyji vjen tek ne, sepse ne nuk mund të arrijmë deri tek Ai, është një nga kryeveprat
e tij, një ndër pjesët më të rëndësishme të teologjisë së tij. Ndër homelitë, me përmbajtje
të thellë ekzegjetike, e përqendron predikimin kryesisht tek përdorimi i pasurive
në dobi të shoqërisë. E ç’na mëson Shën Gjon Krizostomi? Na mëson ta
shikojmë Kishën si bashkësi, përmes përdorimit e shpërndarjes vëllazërore të pasurive
në shërbim të të gjithë anëtarëve, përmes ndershmërisë morale e, sidomos, përmes predikimit
dhe vënies në jetë të Dhjetë Urdhërimeve të Tënzot. Po me ç’sy mund t’i lexojmë
sot shkrimet e Shën Gjon Krizostomit? Ashtu si në rastin e të gjithë etërve
të Kishës, leximi i veprave të Shën Gjonit është jashtëzakonisht i dobishëm dhe i
nevojshëm për jetën shpirtërore të të krishterit, por duke pasur parasysh rrethanat
shoqërore e fetare në të cilat jetoi e veproi Shenjti, të cilat ndryshojnë shumë nga
ato të ditëve tona. Përveç kontributit të jashtëzakonshëm teologjikë, Shën Gjon
Gojarti ka lënë edhe një ritë e traditë liturgjike që është e përhapur në Kishën bizantine
e që njihet si liturgjia e Gjon Krizostomit. Kështu Kisha bizantine e ka nderuar kujtimin
e Shenjtit duke ua lënë trashëgim pasardhësve shkrimet e tij, duke ia promovuar kultin
e duke ia paraqitur besimtarëve si shembull përshpirtërie, që meriton të ndiqet. Në
një farë mënyre Shën Gjon Krizostomi është bërë pajtor i liturgjisë që mban emrin
e tij, që e përdori, ndonëse mendohet se nuk është krijuesi i saj. Në katekizmat
e tij eukaristike, Shën Gjon Krizostomi një herë shkroi: “Ç’ thua ashtu, o Moisiu?
Gjaku i një qengji i pastron njerëzit? I shpëton nga vdekja? E si mundet gjaku i një
kafshe t’i pastrojë njerëzit, t’i shpëtojë njerëzit, të ketë pushtet mbi vdekjen?”.
Në të vërtetë – vijon Krizostomi – qengji mund të ishte vetëm një gjest simbolik;
simbolizonte pritjen dhe shpresën në Dikë, i cili do të ishte në gjendje të bënte
atë që nuk mund ta bënte flijimi i qengjit. “Jezusi i kremtoi Pashkët pa qengj
e pa tempull e megjithatë - nuk kremtoi pa qengj e pa tempull. Ishte Ai vetë qengji
i pritur, i vërteti, ashtu si e kishte parafolur Gjon Pagëzuesi në fillim të misionit
publik të Jezusit: “Ja Qengji i Hyjit! Ja Ai që ia shlyen mëkatin botës”. Është Ai
tempulli i vërtetë, tempulli i gjallë, në të cilin banon Zoti e në të cilin mund ta
takojmë Hyjin e ta adhurojmë. Gjaku i tij, dashuria e Atij që është njëherësh Bir
e Hyj e njeri i vërtetë, njëri nga ne, ky gjak mund të shpëtojë”. Dashuria e Tij,
dashuria me të cilën ai dhurohet vullnetarisht për ne, është ajo që shëlbon. Gjesti
i përmallshëm, në një farë mënyre i pafryt, që ishte flijimi i qengjit të pafaj e
të panjollë, gjeti përgjigje në Atë që u bë për ne qengj e tempull njëherësh. “Kështu
në qendër të Pashkëve të reja të Jezusit ishte kryqi! Prej tij vinte dhurata e re
që na solli Ai. E kështu Ai mbet përgjithmonë në Eukaristinë Shenjte, në të cilën
mund të kremtojmë me apostujt në rrjedhë kohe, Pashkët e reja. Tani ai na dhurohet
ne”. “T’i lutemi Zotit që ta kuptojmë gjithnjë më thellë këtë mister të mrekullueshëm,
ta duam gjithnjë më shumë e në të, ta duam gjithë më tepër vetë Krishtin. Të lutemi
që kungimi shenjt të na tërheqë gjithnjë më shumë brenda vetes e të na ndihmojë të
mos e mbajmë jetën tonë për vete, por t’ia dhurojmë Atij, e kështu të veprojmë së
bashku me Të, që njerëzit të gjejnë jetën – jetën e vërtetë, e cila mund të vijë vetëm
nga Ai që është vetë Rruga, e Vërteta, Jeta”.